Artan Lame hedh poshtë akuzat: Kemi bërë detyrën

Të paktën 20 kallëzime janë bërë nga Partia Demokratike në prokurori për përdorim politik të institucionit të Kadastrës duke dhënë certifikata legalizimi gjatë fushatës. Por kreu i Aluizmit Artan Lame i hodhi poshtë këto akuza duke iu përgjigjur opozitës me nota humori.

“Do thoja atë që thotë populli, “unë i ziu me dy pleq, kujt t’ja prish e kujt t’ja ndreq”. Po të mos bëj normën më bërtet Edi Rama, po të bëj normën më bërtet Lul Basha, unë tani nuk di se si të veproj”, është shprehur Artal Lame.

Këto deklarata Lame i bëri në Lushnjë ku dorëzoi certifikatën e legalizimit për xhaminë e këtij qyteti. E pranon që është vendim i vonuar por jep edhe arsyen.

“E kishim përgatitur që më përpara zgjedhjeve, por në atë badërdinë e zgjedhjeve që u sulmuam ngado që po përdoret për zgjedhje, që ky institucion po vendoset në funksion të zgjedhjeve, thamë më mirë ta lëmë pas zgjedhjeve dhe e lamë për sot që është një ditë e shënuar fetare”, ka treguar Lame.

Artan Lame theksoi se janë dhënë 18700 certifikata për tokat bujqësore ndërsa në ditët në vazhdim do të punohet për legalizimin e pallateve të braktisura.

Klan News