Investimi në panele diellore kap vlerën 100 milion €

Investimi me vlerë 100 milion euro në zonën e Karavastasë për ndërtimin e një parku diellor me fuqi prej 140 megavatësh duket pranë realizimit.

25 ditë pasi qeveria ka shpallur garën e ankandit, 20 kompani europiane dhe ndërkombëtare kanë shfaqur interes për ndërtimin e paneleve fotovoltaike që do të prodhojnë energji të rinovueshme.

Detajet për interesin e lartë, i ka zbuluar gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Perspektivës së Energjisë së Rinovueshme në Stamboll ministrja Belinda Balluku.

 “Tashmë kemi shumë për të thënë, kemi për të promovuar aksionet tona më të mira. Ashtu siç ishte dhe parku i Karavastasë, për të cilin fola dhe për mënyrën transparente se si ky ankand është hapur dhe do të përfundojë nga ç’duket, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshëm nga kompanitë më të mëdha europiane, por dhe nga e gjithë bota.”

Qeveria hapi garën për ndërtimin e këtij parku në fund të janarit, duke vendosur si element tërheqës në këtë ankand garantimin e blerjes së gjysmës së prodhimit të energjisë nga OSHEE për 15 vjet kundrejt një çmimi 55 euro për megavat orë.

Ky është ankandi i dytë që realizohet në prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli. I pari është fituar nga kompania India Power në Akërni të Vlorës, por kontrata për nisjen e punimeve nuk është lidhur ende. Shqipëria ka më shumë se 90% të burimeve të prodhimit të energjisë nga uji, çka krijon kosto të mëdha për importin e energjisë gjatë periudhave të thatësirave.

Tv Klan