Kërkohet heqja moratoriumit, qeveria pritet ta shtyjë edhe 5 vjet

Federata për Gjueti dhe Konservim ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për miratimin e ligjit ‘Për Gjuetinë’, ligj i cili është propozuar nga tre deputetë që në vitin 2017 dhe është hartuar në bashkëpunim me Shoqatën Europiane të Gjuetisë. Në mbështetje të atij projektligji, ata kanë depozituar edhe 20 mijë firma si mbështetje, si dhe i kujtojnë qeverisë se ata bëhen më shumë se 100 mijë votues.

Moratoriumi i gjuetinë në Shqipëri u miratua në vitin 2014, për dy vite. Më pas u shty edhe 5 vite të tjera dhe në Janar të vitit 2021 përfundon afati i moratoriumit. Por Ministria e Mjedisit po rishikon shtyrjen edhe me 5 vite të tjera, gjë që për gjuetarët jo vetëm që është e paligjshme, por edhe e paefektshme.

Sipas gjuetarëve, edhe pas gati 7 vitesh moratorium Ministria e Mjedisit nuk ka asnjë raport dhe asnjë studim për gjendjen e faunës së egër. Si dhe asnjë të dhënë për dëmin ekonomik. Ndërkohë që nuk është bërë asnjë investim për ato specie që janë në rrezik zhdukje, si fazani, thëllëza e fushës, thëllëza e malit dhe lepuri i egër. Ndërsa dëmi ekonomik që ka ky sektor në këto vite është 50-60 milionë euro.

Tv Klan