20 mijë studentë janë pajisur tashmë me kartën e studentit, me të cilën përfitojnë mbi 100 shërbime publike dhe private falas ose me çmime të reduktuara. Pjesë e këtij procesi, u bënë edhe studentët e Akademisë së Sigurisë në Tiranë.

“Besoj se deri nga mesi i Korrikut do e kemi përfunduar pajisjen e studentëve tuaj me karta, ndërkohë që në total në gjithë Tiranën kemi shpërndarë mbi 20 mijë copë. Sot, shumë kompani, duke filluar nga qendrat e mëdha të shopingut, deri tek dyqanet e vogla të kancelarisë, madje edhe ndonjë berber apo floktore, i janë bashkuar nismës, duke vendosur një stiker te dritarja, për të treguar se e pranojnë kartën e studentit dhe aty ka ulje për ta. 20% në një vend, 30% në një vend tjetër, kur je student, çdo qindarkë vlen”.

Kryebashkiaku iu referua statistikave teksa tha se Tirana është nga qytetet më të sigurta në rajon dhe Europë.

“Tirana sot është padyshim qyteti më i sigurt në Shqipëri dhe një ndër qytetet më të sigurta në Europë. Shumë prej kolegëve me të cilët bisedoj, kur u japim statistikat, habiten sepse duke dëgjuar politikanët që tipikisht i hapin vetëm namin e keq vendit, mendojnë se këtu ndodhin çudira”.

Procesi i pajisjes me Kartën e Studentit në Akademinë e Sigurisë ka nisur prej datës 24 Qershor dhe deri më tani atë e kanë marrë rreth 150 studentë nga 325 që janë në total.

Tv Klan