20 persona nën akuzë, mes tyre edhe zyrtarë të lartë grekë

20 persona nën akuzë, mes tyre edhe zyrtarë të lartë grekë

21:59 06/03/2019

Prokurorët grekë kanë ngritur akuzat për 20 persona, përfshirë zyrtarë të lartë, për vdekjen e 100 personave, në zjarrin masiv të një viti më parë. Zjarret në fshatin bregdetar të Matit, në Korrik të 2018-s u shpërndanë me shpejtësi, duke i lënë njerëzit të bllokuar nëpër shtëpi e makina.

Në mesin e të akuzuarve janë politikanë rajonalë, policë dhe zyrtarë të zjarrfikëses. Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë vrasje nga neglizhenca, zjarrvënie, dëmtime të rënda ndaj njeriut.

Zjarri ra në Mati, në bregun lindor të Greqisë, jo shumë larg nga Athina, një zonë tejet e populluar nga turistët. Me qindra u përpoqën që t’i shpëtonin flakëve duke u futur në det, ndonëse shumë prej tyre nuk arritën të shkonin larg.

Disa javë pas ngjarjes së rëndë, pati shumë akuza për keqmenaxhim të situatës nga zyrtarët e zjarrfikëses dhe policisë, përshirë akuza se nuk ishin dhënë alarme dhe se devijimet e rrugës, në vend që t’i çonin njerëzit larg zjarrit, i çuan ata drejt tij.

7 muaj më vonë, një raport i prokurorëve zbuloi se

“kishte pasur një mungesë absolute komunikimi, kaos dhe kolaps të sistemit, një faj i përbashkët i shërbimeve shtetërore, të cilët ndanin përgjegjësinë, gabimet kriminale dhe neglizhencën gjatë përballjes me zjarret”.

Në mesin e të akuzuarve janë Guvernatori i Attica, Rena Dourou, Kryebashkiaku i Maratonës, Ilias Psinakis, Kryebashkiaku i Rafina, Evangelos Vournous, ish-kreu i departamentit të Zjarrfikëses, Sotiris Terzoudis, kreu aktual i këtij departamenti Vasilis Mattheopoulos, i cili në kohën e zjarrit ishte zëvendëskryetar, si dhe Ioannis Kapakis, ish-kreu i Mbrojtjes Civile.

Nën akuzë është edhe një 65-vjeçar, i cili dyshohet se ishte personi që nisi zjarrin pasi dogji dru në oborrin e shtëpisë.

Sipas mediave greke, për raportin e prokurorisë kontribuuan rreth 350 dëshmitarë, të cilët u intervistuan për ngjarjen tragjike.

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT