Kompania hedh në gjyq një firmë izraelite

Mesazhet e shkëmbyera nëpërmjet aplikacionit Whatsapp nga disa zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre mund të kenë rënë në duart e hakerave. Agjencia e lajmeve Reuters citon burime nga hetuesit e kësaj çështje, të cilët thonë se hakerat kanë grabitur informacione të rëndësishme nga zyrtarë të profilit të lartë qeveritar dhe ushtarak nga të paktën 20 vende nga e gjithë bota.

Mediat ndërkombëtare japin alarmin se kjo grabitje, sipas tyre e përmasave të mëdha, mund të ketë pasoja të gjera politike por edhe diplomatike. Drejtuesit e shoqërisë Whatsapp, pjesë e gjigandit të rrjeteve sociale Facebook ngritën padi të martën ndaj firmës izraelite të zhvillimit të aplikacioneve NSO Group. Dyshohet se kjo firmë ka shfrytëzuar disa boshllëqe në sigurimin e privatësisë së aplikacionit Whatsapp për celularë për të grabitur të dhëna nga të paktën 1 400 përdorues. Të dhënat e grabitura i përkasin periudhës 29 Prill deri më 10 Maj 2019. 

Shumica e përdoruesve janë nga Shtetet e Bashkuara, Emiratet e Bashkaura, Meksika e deri në Indi. Mediat nuk kanë zbuluar ende zyrtarët e prekur, por javët e fundit në disa raste janë raportuar shqetësime për sigurinë e aplikacionit edhe pse pak kohë më parë aplikacioni njoftoi shtimin e masave që garantojnë sigurinë e komunikimeve.

Tv Klan