Jo tregti me Bashkimin Europian, por një veprim humanitar. Kështu e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama vendimin e qeverisë shqiptare për marrjen e 20 emigrantëve nga Eritrea që kanë mbetur të bllokuar në anijen “Diciotti” në Itali.

Në një intervistë për “Corriere”, Rama thotë se Evropa duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar Italinë për problemin e emigrantëve. Ndihmesa e Shqipërisë, shton Rama, nuk do ta zgjidhë problemin, pasi kërkon angazhimin e të gjithëve. Kryeministri shprehet se kur Itali u hapi dyert shqiptarëve emigrantë, tashmë është koha për ta ndihmuar.

Si do të transferohen?

Edi Rama:

Agjencitë kompetente po merren me këtë çështje. Ne do të bëjmë atë që bëri Italia për ne, që ishim eritreanët e kohës.

Si ishin negociatat me qeverinë italiane?

Edi Rama:

Nuk ishin negociata. Donim të bënim diçka, por në fillim hezituam për të shmangur keqkuptimet me Romën. U zgjidh mes ministrave të Jashtëm. Italia ka bërë shumë për ne dhe për Evropën, por për një kohë të gjatë ajo është lënë vetëm.

Do të mirëprisni të tjerë refugjatë?

Edi Rama

: Nuk do ta zgjidhte problemin. Shpresoj që Evropa të zgjohet dhe të bëjë pjesën e vet. E kemi thënë që në vitin 2015, kemi nevojë për një plan evropian.

A do të përshpejtojë ky veprim anëtarësimin në BE?

Edi Rama:

Nuk ka asnjë shkëmbim. Nuk jam marrë me këtë çështje me Kryeministri Conte. Këtu bëhet fjalë për jetë njerëzish. Rrezikohen gjëra të rëndësishme që për fat të keq kanë humbur rëndësinë këto ditë.

Pak kohë më parë, Salvini kritikoi hyrjen tuaj në BE?

Edi Rama:

Nuk dua të gjykoj, nuk do të zgjidhte asgjë. Qëllimi është që të kemi një pozicion të unifikuar evropian, që për fat të keq nuk e kemi sot.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Romën?

Edi Rama:

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera, pavarësisht nga forcat politike në qeveri.

Dje emigruat, sot mirëprisni emigrantë…

Edi Rama:

Kemi mbajtur gjithmonë popuj që kanë qenë në rrezik. Më kujtohen hebrenjtë që largoheshin nga nazistët. Më kujtohen gjysmë milionë kosovarë në vitin 1999. Më kujtohen 3 mijë iranianë. Kam ndërmend sirianët që po vijnë këto muaj.

Ku duhet të përmirësohet Shqipëria?

Edi Rama:

Ne jemi në rrugën e evropianizmit. Kemi bërë shumë, por na mbetet shumë për të bërë.

Trafiku i drogës mbetet një shqetësim…

Edi Rama:

Ne jemi ndër ata që kemi bërë më shumë. Por siç tregohet edhe me luftën kundër mafias në Itali, është një betejë që zgjat më shumë se sa seria e filmit “Gomorra”. /tvklan.al