Emiljan Gjuzi është 20 vjeç dhe prej 1 viti e gjysmë është diagnostikuar me leucemi akute, por ai nuk po kurohet dot, pasi medikamenti që i duhet nuk gjendet në Shqipëri.

Vesanoid (Tretinoina) është një ilaç i shtrenjtë, që jashtë vendit kushton 570 euro  një shishe dhe që mjafton vetëm për një muaj. Edhe pse 20 vjeç, Emiljani jeton në regjim shtrati dhe me një kujdestare tek koka.

Deri tani e ka siguruar medikamentin përmes të afërmve të tij në Itali, por tani nuk mundet më, ndërsa prindërit thonë se me 100 mijë lekë të vjetra mezi ushqehen, e jo më të blejnë edhe këtë ilaç të domosdoshëm.

Emisioni “Stop” u interesua në disa farmaci duke pyetur për këtë medikament që i duhet Emiljanit, por nuk ekziston.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë nuk përgjigjet, edhe pse “Stop” ka dërguar shkresë zyrtare, që në 29 tetor 2019.

Gazetarja: Sot kemi ardhur në qytetin e Rrogozhinës, në shtëpinë e Emiljanit, një 20-vjeçar i cili para një viti e gjysmë është diagnostikuar me leucemi akute… Përveç dhimbjet fizike, i duhet të durojë edhe dhimbjen shpirtërore për moskurimin e sëmundjes së tij, sepse ky ilaç që i duhet, nuk gjendet në Shqipëri.

Emiljani:Unë jam Emiljan Gjuzi, jam nga qyteti i Rrogozhinës dhe jam i sëmurë me leucemi akute. Ilaçi kushton 570 euro.

Gazetarja: Kur e ke zbuluar sëmundjen?

Emiljani: Pas një viti e gjysmë që isha me leucemi akute.

Gazetarja: Si mundesh ta marrësh këtë ilaç? Si e ke marrë?

Emiljani: Më kanë ndihmuar njerëzit deri tani. Nuk kemi mundësi ta marrim më këtë ilaç.

Gazetarja: Gjendet në Shqipëri ky ilaç?

Emiljani: Jo, gjendet vetëm në Itali. Kemi shkuar në farmaci dhe kemi pyetur në çdo vend dhe na kanë thënë që nuk gjendet në Shqipëri, vetëm në Itali.

Gazetarja: Çfarë zgjidhje ju kanë ofruar?

Emiljani :Asnjë zgjidhje.

Gazetarja: Sa kohë të mjekon?

Emiljani: Një muaj.

Gazetarja: Si është gjendja jote tani?

Emiljani: Kam këputje, dhimbje koke, pa shërbyese nuk mund të rri dot. Ju lutem më ndihmoni, vetëm me ilaçin, që të mjekohem dhe të shërohem.

Nëna e Emiljanit: Është shtrenjtë ilaçi, jemi pa punë, burri pa punë, çfarë të bëjmë?!

Babai i Emiljanit: Jam babai i çunit. Me 100 mijë lekëshin ne nuk ia dalim dot me ilaçin e çunit, tani si t’ia bëj… të marr mbaj kalamajtë apo të marr ilaçin. Jam i papunë, veni dorën ju… ju kërkoj ndihmë të gjithëve. Më ndihmoni ta mjekoj djalin.

Kujdestarja e Emiljanit: Unë jam kujdestarja e Emiljanit. Nuk është në gjendje që të marrë ilaçet sepse nuk ka të ardhura. Nuk lahet dot, nuk bën dot asgjë. As ka ushqime, asgjë… ca do hajë? Ca do pijë? Po shkon ora 11:00 e s’ka ngrënë asgjë sot djali, se s’ka… Pi 12 kokrra në ditë nga ato. Pasi të mbarojë kurën komplet të ilaçeve, them se do të përmirësohet. Me shpresën e Zotit, Zoti e ka në dorë!

Emisioni “Stop” interesohet në farmaci për ilaçin, Vesanoid (Tretinoina) përmes kameras së fshehtë

Denoncuesi: Ky ilaç gjendet në Shqipëri? Në ndonjë depo, në ndonjë magazinë?

Farmacisti: Jo! Rrojmë kot! Për këtë mund të pyesësh vetëm në Kavajë!

 Denoncuesi: Mos ka në ndonjë depo andej?

Farmacistja: Ja të pyesim, në dorë i kemi ne.

(Flet në telefon)

Ca bën ti? Mirë? Desha të pyesja për një ilaç, Tretinoina, Tretinoina 10 mg, janë kapsula.

Farmacistja Për ca e përdor këtë ti?

Denoncuesi: Për leucemi akute!

Farmacistja: Kjo ka një alternative, izotretinoina. Këta nuk e kanë.

Farmacistja: Ti e merr në Itali këtë?

Denoncuesi: Po!

Farmacistja: E di ku mund ta gjesh ti këtë? Vetëm tek farmaci Beu në Kavajë, se ajo sjell ca klandestine kështu. /tvklan.al