“Historia ime” ka sjellë ditën e sotme historinë e rëndë të një gruaje 50-vjeçare. Edhe pse nuk e ka aspak të thjeshtë, ajo ka marrë guximin të rrëfejë historinë e jetës së saj, dhunën në familje dhe pasojat që e kanë shoqëruar atë. Jeton në një qytet të vogël dhe nuk është gati të përballet edhe me paragjykimet, për këtë arsye ajo nuk ka preferuar ta zbulojë fytyrën.

Për 20 vite me radhë, ajo ka duruar dhunën e ushtruar nga bashkëshorti, i cili nuk e linte as të dilte nga dera e shtëpisë. Burri i saj ishte i alkoolizuar, e dhunonte edhe gjatë shtatzanisë dhe si pasojë i vdiqën dy djem dhe një vajzë.

Mirela Milori: Kur je martuar?

50-vjeçarja: 23 vjeçe.

Mirela Milori: Ishte martesë me dashuri?

50-vjeçarja: Me dashuri, nga një mikeshë e përbashkët. Dy muaj u dashuruam, dy muaj u fejuam, më pas u martuam.

Mirela Milori: Sa vjeç është?

50-vjeçarja: Ai është 54.

Mirela Milori: Si ishte martesa?

50-vjeçarja: Në fillim e mirë, më mbrapa filloi dhuna.

Mirela Milori: Si ishin ato fillime?

50-vjeçarja: Fillimi ishte i mirë, por më pas ishte xhelozia e sëmurë. Shumë, jashtë mase ndaj meje.

Mirela Milori: Ti punoje ndërkohë?

50-vjeçarja: Jo asnjëherë, nuk më ka lenë fare të dal nga dera, jo më të punoj.

Mirela Milori: Sa kohë qëndrove në këtë situatë?

50-vjeçarja: 20 vite. Dhunë psikologjike, fizike, e çdo lloj ane, e përçmuar, xhelozi e tejskajshme.

Mirela Milori: Familja jote çfarë pozicioni ka patur?

50-vjeçarja: Familja më kundërshtoi, se nuk donte që në filim ta merrja atë njeri. Dhe nuk më ka mbështetur shumë.

Mirela Milori: Edhe kur ti u the që filloi dhuna?

50-vjeçarja: E ke marrë vetë, do ta durosh më thanë…

Mirela Milori: Sa fëmijë patët nga martesa?

50-vjeçarja: Një vajzë vdiq 4 muajshe e gjysmë, dy djem vdiqën, kam edhe një djalë.

Mirela Milori: Fëmijët si ndodhi që i humbët?

50-vjeçarja: Vajza nga pija alkoolike që përdorte ai dhe nga dhuna.

Mirela Milori: Po fëmijët e tjerë?

50-vjeçarja: Lindje normale, vetëm të pazhvilluar nga dhuna.

Mirela Milori: Ti dhunoheshe edhe gjatë kohës që ishe shtatzënë?

50-vjeçarja: Po!/tvklan.al