Sotire Germeni dhe Petraq Marku, dy të moshuar nga Novosela, kanë lidhur krushqi 20 vjet më parë, kur në Korrik të vitit 2008, djali i Sotires dhe vajza e Petraqit u lidhën me martesë.

Qysh atëherë, çifti është bërë me 3 fëmijë dhe jetojnë në Greqi. Por ata dhe prindërit e tyre përballen me një problem, që nuk po e zgjidhin prej 20 vjetësh.

Zyra e Gjendjes Civile Novoselë nuk ka bërë një akt martesor dhe sot ata rezultojnë beqarë. Nga Novosela, Sotirja thotë se e dërgojnë në Vlorë dhe nga Vlora në Novoselë.

Në këto kushte, çifti është në prag të ndarjes.

Dy krushqit bisedojnë me punonjësen e zyrës së Gjendjes Civile Novoselë, Margarita Anastasi dhe ajo i thotë që duhet të shkojnë në Vlorë.

Nga ana tjetër, Laura Gjondeda, specialiste e zyrës së Gjendjes Civile Vlorë sqaron se në bazë të arkivave, akti duhet të jetë në Novoselë, aty ku është bërë celebrimi. Pas gjithë kësaj katrahure të panevojshme, zonja Gjondeda shprehet se çështja mund të zgjidhet vetëm me gjyq.

Teksa tregojnë problemin e fëmijëve të tyre, dy krushqit nuk e kursejnë talljen për këtë situatë, duke kërcënuar me humor se do të ndajnë fëmijët.

“Kam 20 vjet që është martuar djali dhe figuron pa akt martese. Edhe krushkut unë do ia ndaj vajzën, sepse nuk e zgjidh dot këtë problem”,

tregon zonja Sotire Germeni.

“Është gabimi i gjendjeve civile që nuk e kanë shkruar numrin e aktit. Nuk e kanë bërë të rregullt celebrimin”,

thotë zoti Petraq Marku.

“Celebrimi ka ndodhur në 1999. E kemi fejuar djalin, bënë celebrimet dhe iku djali tutje. Krushku më dha certifikatën martesore. E mora vajta në Vlorë, ma regjistruan. Kur vajta që të kërkoja certifikatë martesore, më thonin që nuk ke aktin e martesës. Vija këtu kjo më thoshte që e ke bërë celebrimin në Vlorë. ‘Moj zonjë është bërë këtu’. ‘Jo është në Vlorë…’ Kam 20 vjet dhe nusja është me 3 fëmijë. Po unë krushkut nuk ia kam borxh, unë do t’i them djalit. Djali është bërë gati për ta ndarë nusen…”,

shton më tej zonja Germeni.

Vetëm për këtë punë?

“Po kemi 20 vjet, vdiqëm mbaruam… Le ta martojë me një tjetër”.

Po tani ti djalin e ke të martuar apo beqar?

“Beqar figuron”.

E ke martuar vajzën ti vëlla?

“Po, e kam me 3 fëmijë. Nuk është hedhur në sistem sepse nuk ka numrin e aktit të martesës. Ky nuk është faji im, çfarë faji kam unë. E ka fajin shteti, nëpunësja e Gjendjes Civile atje në Novoselë”.

Përpara se t’i drejtoheshin zyrës së Gjendjes Civile në Novoselë, gazetarja e Stop bëri të pamundurën për të pajtuar dy krushqit. Më pas, zonja Germeni me anë të kameras të fshehtë bisedoi me punonjësen.

Punonjësja-I ka bërë celebrimet këtu ajo?

Qytetarja-Këtu!

Punonjësja-Kanë ardhur këtu të dy ata?

Qytetarja-Po! Të dy këtu kanë ardhur në 99-n.

Punonjësja-Absolutisht!

Qytetarja-Moj ti…

Punonjësja-Aktet janë në Vlorë.

Qytetarja-Moj motër është bërë këtu celebrimi, nuk është bërë në Vlorë.

Punonjësja-Nuk është bërë celebrim këtu!

Qytetarja-Moj motër, urdhëro këtu, që është celebrimi në Novoselë!

Punonjësja-Nuk e ka në Novoselë.

Qytetarja-Në Novoselë moj, ja shikoje e ka shkruar Laura (punonjësja e zyrës së Gjendjes Civile Vlorë) këtu.

Punonjësja-E ka bërë vetë!

Qytetarja-Çfarë interesi ka Laura ta bëjë?

Punonjësja-Mos e merr kështu, sepse kjo certifikatë merret në Arkivë në Vlorë, nuk merret tek ne!

Qytetarja-Nuk figuron asnjë gjë, në Arkivë e në Gjendje Civile.

Punonjësja-Shumë mirë! S’e ka bërë tek unë! Nuk i ka bërë këtu! Kush ka firmosur?

Qytetarja-Urdhëro moj urdhëro! Novosela!

Punonjësja-Kush ka firmosur?

Qytetarja-Urdhëro! Novosela! Gjeje ti kush e ka firmosur, jo unë!

Punonjësja-Gjej aktin e martesës!

Qytetarja-Ti e ke bërë!

Punonjësja-S’e kam bërë unë!

Qytetarja-Kush e ka bërë?

Punonjësja-Nuk e kam bërë unë

Pas kësaj, Zyrës së Gjendjes Civile iu drejtua Odeta, gazetarja e Stop. Ajo e pyeti nëpunësen se përse çifti në fjalë nuk e ka aktin e martesës.

“Ku e di unë. Nuk e ka bërë këtu celebrimin, e ka bërë në Vlorë”,

vijon të insistojë punonjësja ndonëse përballet me numrin e aktit të martesës të lëshuar nga Zyra e Vlorës

.

Në këto kushte, gazetarja iu drejtua Gjendjes Civile në Vlorë, për ta sqaruar këtë situatë.

“Për të deklaruar një njoftim sipas Gjendjes Civile që pretendon Novosela, ka ardhur një njoftim martese nga Novosela. Pasi vjen kjo, ne e hedhim si njoftim martese dhe numër akti që ka mbajtur zyra e Novoselës. Unë këtë që hedh në regjistër e protokolloj në moment. Të paktën në ato vite kështu ka qenë kjo procedurë. Nga 99-ta deri në 2008-n derisa është aktiv dhe unë posedoj këtë regjistër, zonja ka marrë certifikatë martese nga mua. Por zonja, për interesat e saj, nuk e kërkon më nga mua, e kërkon nga Arkiva dhe jo nga libri e merr nga akti. Këtu ka mbetur zonja, nuk e gjen dot në akt”,

shpjegon Laura Gjondeda, specialiste e zyrës së Gjendjes Civile Vlorë

.

Domethënë ky celebrim nuk është regjistruar nga punonjësja e asaj kohe?

“Nuk dal dot në përfundim të them zonja e Novoselës e ka bërë këtë martesë apo jo”

.

Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Një prej punonjësve të Zyrës Civile në Novoselë nuk kanë plotësuar aktin martesor, ndonëse e dërguan në Vlorë, ku dhe u protokollua.

Si zgjidhet ky problem? Me gjyq.

/tvklan.al