Shtetasit maqedonas janë evakuuar nga Afganistani

Pothuajse të gjithë qytetarët nga Maqedonia e Veriut, me obligime të ndryshme në Afganistan, në mënyrë të sigurt janë evakuuar nga vendi dhe pritet në afat sa më të shkurtër të kthehen në shtëpi. Njëri grup ka zbritur në Doha, tjetri në Abu Dabi, ndërsa vetëm tre civilë vullnetarisht kanë qëndruar në bazën e NATO-s afër aeroportit në Kabul dhe do të kthehen së bashku me ushtrinë amerikane.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pohoi se pasi Maqedonia e Veriut ka ofruar strehim të civilëve afganë që janë në rrezik, ka arritur kërkesë për mbi 200 persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

Nga aeroporti ushtarak në Kabul, me fluturime të organizuara për evakuimin e  ushtrisë dhe të civilëve, nga Afganistani janë larguar rreth pesëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët përmes vendeve të treta, janë rrugës për në shtëpi.

“Sot në mëngjes rreth orës 4 e 30 minuta qytetarët tanë që dje ishin në aeroportin në Kabul kanë zbritur në Doha dhe pritet që së shpejti të transportohen në Kuvajt. Transporti i tyre i mëtejshëm deri në vendin tonë është i pakontestueshëm dhe ata janë të sigurt jashtë Afganistanit. Pak më vonë në Abu Dabi në Dubai ka zbritur edhe aeroplani i dytë, ku sipas informacioneve të fundit gjenden 25 qytetarë tanë dhe rruga e tyre do të vazhdojë drejt Londrës.”

Përveç këtyre pesëdhjetë personave, Osmani tha se 11 shtetas të Maqedonisë së Veriut ende presin të hipin në aeroplan në aeroportin në Kabul, ku pas turmave të djeshme që përmes video pamjeve e habitën tërë botën, sërish është vendosur rendi i fluturimeve.

Vetëm tre persona nga Maqedonia e Veriut, vullnetarisht do të mbeten në bazën e NATO-s që të evakuohen më vonë së bashku me pjesën e mbetur të ushtrisë amerikane. Deri më tani nga Maqedonia e Veriut është kërkuar strehim i mbi 200 civilëve afganë, të rrezikuar nga regjimi i ri i Talebanëve.

“Ka kërkesë nga Instituti Demokratik Kombëtar për 200 civilë shtesë, para së gjithash janë gra dhe fëmijë të punësuar në agjencitë ndërkombëtare në Afganistan dhe këto janë lista që i trajtojnë shërbimet kompetente, MPJ-ja dhe MPB-ja dhe në pajtueshmëri me këtë do të përgjigjemi.”

Osmani sot para gazetarëve konfirmoi se Maqedonia e Veriut do të dëbojë edhe një diplomat rus, i dyti në dy muajt e fundit, për shkak të fakteve për shkelje të parimeve të Konventës Ndërkombëtare të Vjenës për marrëdhënie diplomatike.

Klan Macedonia