Vijojnë aksionet e policisë për të goditur transportin e paligjshëm të emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme. Kësaj radhe, në Gjirokastër është arrestuar një 23-vjeçar nga Fushë-Kruja.

Në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare të Kakavijës dhe forcat e FRONTEX, blutë e Gjirokastrës goditën një rast të transportit dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

I arrestuari Altin Voga u ndalua në Urën e Glinës duke udhëtuar me makinën Chevrolet duke transportuar 4 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme. Ai u kishte premtuar atyre se do t’i ndihmonte për të kaluar kufirin drejt vendeve të BE-së kundrejt fitimit prej 200 Euro për person.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. /tvklan.al