Ministria e Bujqësisë: Nuk është gripi i shpendëve dhe nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët

Rreth 200 mijë shpendë kanë ngrodhur në dy pulari në qarkun e Durrësit. Pas analizave të kryera pranë ISUV në bazë të mostrave të marra rezultatet tregojnë se bëhet fjalë për sëmundjen e laringotrakeitit në shpendë.

“Janë rreth 200 mijë shpendë që kanë ngordhur. Është ngritur një grup hetimor që ndodhet në terren, kanë rezultuar pozitivë për laringotrakeit. Nuk ka nevojë për panik dhe nuk kemi rrezik të gripit të shpendëve në Shqipëri. Kjo është një sëmundje që nuk transmetohet te njeriu. Mundësia e përhapjes nga shpendi në shpend është shumë e kufizuar për shkak se është sëmundje që vaksinohet”.

Sipas zëvendësdrejtores së ISUV, Jonida Boci , deri më tani nuk ka asnjë rast ku të jetë shfaqur influencë aviare  apo siç njihet ndryshe, gripi i shpendëve.

“Ka dalë një urdhër nga Autoriteti Kombëtar i Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve për kontrollin e të gjithë territorit të Shqipërisë dhe zonave rurale ku kemi rritje të shtuar të shpendëve të oborrit. Nëse do kenë shpendë të ngordhura, të njoftojnë menjëherë autoritetet përkatëse”.

Sipas saj, autoritetet kanë marrë masa për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë rast në subjekte të tjera shpendrritëse.  

Klan News