Arabia Saudite kërkon eventin sportiv për 6 vite

Blerja e Newcastle nga sheikët arabë është investimi më i fundit prej tyre në futbollin europian, por ata nuk duan të ndalen me kaq. Kërkojnë evente të mëdha, madje edhe finale.

Së fundmi mësohet se arabët janë të gatshëm të ofrojnë rreth 200 milionë Euro për 6 vitet e ardhshme që të organizojnë Superkupën e Italisë. Një marrëveshje që tejkalon shumën aktuale, e parashikuar për 20 milionë Euro, plus bonuse për tri vite.

Oferta është e lidhur me një ndryshim në formatin e kompeticionit, që për momentin e diskuton trofeun mes kampionit të Serie A dhe fituesit të Kupës së Italisë.

Sauditët duan të shtojnë numrin e ndeshjeve, duke e sjellë superkupën në formën e një mini-turneu ku të përfshihen gjithashtu skuadrat që përfundojnë në vendin e dytë si në kampionat ashtu edhe në garën për Kupën e Italisë.

Një “Final Four” me gjysmëfinale dhe finale, sipas formatit spanjoll. Po zhvillohen bisedime në mënyrë që kjo të bëhet e mundur duke nisur nga sezoni 2022-2023.

Vendimi përfundimtar i takon Lega Serie A, e cila në javët e ardhshme do ta analizojë projektin dhe do të zgjedhë, duke vlerësuar edhe aspekte të tjera si atë gjeopolitik që lidh propozimin e Arabisë Saudite me marrëveshjet e nënshkruara me platformat televizive që kanë të drejtën e transmetimit, bëhet fjalë për BeIN Sport, një transmetues me bazë në Doha të Katarit.

Tv Klan