2012-ta, Një vit i vështirë për Europën (02 Janar 2012)

2012-ta, Një vit i vështirë për Europën (02 Janar 2012)

13:11 02/01/2012

2012 ka të ngjarë të jetë më i ashpër së viti që lamë pas. Lideret e Europës së Bashkuar e besojnë këtë, teksa shohin që spiralja e kostove të huamarrjes çoi në ndryshime të detyruara politike në Itali, Spanjë e Greqi dhe kërcënon mbijetesën e Euros.  Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, në një fjalim të zymtë në Televizionin Kombëtar, tha se kriza më e rënde me të cilën Europa është përballur që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk ka përfunduar ende.

“Kjo krizë e jashtëzakonshme, pa me të voglin dyshim, më e rënda që prej Luftës së Dytë Botërore, nuk ka përfunduar ende. Ne duhet të jemi të guximshëm dhe të kthjellët. Ajo që po ndodh në botë paralajmëron se 2012-ta do të jetë një vit plot rreziqe, por edhe plot mundësi.  Plot shpresë, nëse ne do të dimë se si të përballemi me sfidat. Plot me rreziqe nëse do të qëndrojme duarkryq”. – tha ai.

Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, u tha gjermanëve se ky vit do të jetë padyshim më i vështirë se 2011, por foli me besim se Europa do t’ia dalë.

“Gjermania po ecën në rrugë të mbarë, ndonëse 2012-ta do të jetë padyshim më i vështirë.  Rruga për të kapërcyer krizën është e gjatë dhe me pengesa. Por në fund Europa do të dalë më e fortë sesa ishte kur hyri në krizë” – u shpreh kancelarja gjermane Merkel.

Financat publike ishin në qendër  të fjalimit të fundvitit të presidentit italian Xhorxho Napolitano. Presidenti i ekonomisë së tretë më të fortë të Europës bëri thirrje për më shumë sakrifica. Në Greqi, kryeministri teknokrat Lukas Papademos, paralajmëroi gjithashtu një vit më të vështire. Edhe ai kërkoi më tepër sakrifica nga grekët. Liderët europianë do të nisin bisedimet gjatë këtij muaji për të amenduar paktin e arritur nga 27 vendet anëtare, përjashtuar këtu Britaninë e Madhe. Zoti Sarkozi dhe zonja Merkel do të takohen më heret, më 9 janar, për të shqyrtuar një serë amendamentesh, përfshire krijimin e një plani për mënyrën e lëvrimit të obligacioneve sipas një traktati të ri fiskal. Përballë këtyre rreziqeve financiare të këtij viti, lideret e Europës kërkojnë më shumë përpjekje nga të gjitha qeveritë e më tepër besim nga qytetarët, me premtimin se në këtë mënyrë sakrificat nuk do të shkojnë kot./tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT
Doktori