Balluku: Tuneli i Llogarasë dhe hidrocentrali i Skavicës, më të rëndësishmet

Viti 2021 do të jetë ai i investimeve në infrastrukturë, jo vetëm në atë rrugore, por edhe hekurudhore, ajrore, portuale dhe energjitike.

Në bashkëbisedimin e fundvitit me gazetarët, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, zgjodhi Tunelin e Llogarasë dhe hidrocentralin e Skavicës si dy nga investimet më të mëdha shtetërore që nisin vitin e ardhshëm, ndërsa tha se është e vendosur për të vijuar punën për kontratën e investimit 2 miliardë Euro për Portin e Durrësit dhe dhënien me koncesion të ndërtimit të rrugës Milot–Fier, bashkë me atë Milot-Murriqan.

“Fakti që në ditët e errëta të 2020-ës kemi patur një kompani shumë serioze, e cila ka ofertuar, më bën shpresëplotë”.

Në Janar do të nisin punimet për hekurudhën Tiranë–Durrës, me degëzimin në Rinas. Tashmë kontrata është firmosur, ndërsa prej disa ditësh kanë nisur punimet për ndërtimin e aksit rrugor në partneritet publik-privat Dukat–Orikum.

Tenderi për aeroportin e Vlorës është pezulluar dhe do të rihapet sapo Komisioni i Prokurimit Publik të marrë një vendim për ankimuesin, ndërsa për blerjen e aeroportit të Tiranës nga kompania Kastrati, ministrja tha se pritet që të ketë ndryshime të kushteve të kontratës në të mirë të qytetarëve.

“Ky është një rast i mirë për shtetin shqiptar për të rishikuar disa nga kushtet e kontratës koncesionare”.

Ministrja Balluku tha se janë në kontakt me kompani serioze investimi në fushën e naftës, për të ndihmuar në lidhjen e një kontrate me pronarin e rafinerisë së Ballshit, në mënyrë që në Uzinë të rinisë puna brenda Shkurtit 2021.

Në Janar shërbimi i kolaudimit do të ofrohet nga shteti, por shërbimi nuk do të jepet që në fillim të muajit për shkak të periudhës tranzitore që nevojitet. Certifikatave të skaduara do t’i shtyhet afati deri në rinisjen e ofrimit të këtij shërbimi.

Tv Klan