Fundi i vitit është në prag dhe kjo është periudha kur nisim të reflektojmë për muajt që kemi lënë pas, ndryshimet e pësuara, dëshirat e realizuara, ngjarjet e trishta dhe të gëzuara që të gjitha së bashku kontribuojnë në rritjen tonë personale.
Në bilancin e regjisores Sara Jaupaj viti 2023 nisi çuditshëm, me sfidën e divorcit që e vendosi përballë vështirësisë të rritjes së djalit të saj 5 vjeç. Përjetimi i fortë i këtij viti u kthye për të në një motiv që të ngrihej sërish, një rrugëtim të cilin e rrëfen për herë të parë në “Shije Shtëpie” në Tv Klan.
Sara Jaupaj: Unë 2023 e nisa çuditshëm, ndoshta me uljen më të madhe që mund të pësojë një nënë, një grua, me divorc.
Katerina Trungu: Këtë vit ka ndodhur divorci.
Sara Jaupaj: Dhe 2023-shi im nisi si një vit që unë duhet patjetër të kapja veten për të rritur një fëmijë të lutmru që mos të ndiente mungesën e të atit. Hera e parë që po e them, nuk e di pse po e them për gjithë familjarët e mi, por unë jam divorcuar.
Katerina Trungu: Nuk e dija që kishte ndodhur këtë vit.
Sara Jaupaj: Për një gocë që punon në televizion, që sapo do hyjë në të 30-at, është shumë e vështirë. Unë isha praktikisht në zero, në zero, në zero dhe kisha një fëmijë të vogël që thjesht kishte sytë nga unë, çfarë do bëjmë. Çuditërisht ndodh në mënyrë shumë spontane kjo ngritja. Ti thjesht ke një fuqi dhe nuk kalon në depresion, nuk ke kohë ta bësh. Praktikisht ti kërkon për punë, mundohesh të punosh gjithë ditën, të lësh djalin ndoshta me familjarët e tu siç e kam lënë unë me mamin tim dhe të jesh gjithë kohës për të arritur aty ku duhet të jesh. Mua më ndodhi shumë e çuditshme sepse 2023 në anën time të karrierës funksionoi shumë mirë pikërisht nga kjo rënia që unë pata sepse nuk kisha kohë të mendoja më ku është, çfarë po bën por kisha kohë të mendoja Sara shko puno, shko në shtëpi te djali dhe nga ana e karrierës isha shumë, shumë mirë dhe mund të them që ka qenë një nga vitet e mia më të suksesshme.
Katerina Trungu: Domethënë është si një lloj stimuli vështirësia, e sheh si një lloj stimuli sepse ndoshta ai qëndrimi në qetësi dhe në rehati s’të lë të shohësh për më shunmë?
Sara Jaupaj: Unë në këtë profesion kam 11 vite. Sigurisht ka të bëjë edhe me moshën sepse siç e kam konceptuar 20 vjeç nuk e konceptoj sot që jam 30. Por patjetër kur të ndodhin këto vështirësitë, ti edhe rritesh vetë. Unë e shoh që unë as nuk qesh më njësoj, unë e shoh që të gjithë kur ulem nëpër tavolina me miqtë e mi, thonë “na ka marrë malli për Sarën” sepse unë kam ndryshuar padashje, padashur ta bëj, e shoh edhe vetë.
Agida Koçi: Po ty të ka marrë malli për Sarën?
Sara Jaupaj: Më ka marrë./tvklan.al