Tre persona kanë përfunduar në pranga e dy të tjerë janë shpallur në kërkim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar të Fierit kanë finalizuar kështu me sukses operacionin e koduar “TECI”.

Në pranga kanë përfunduar Qemal Vrenozi, 41 – vjeç, ish – drejtori i TEC – it të Fierit, Flamur Fejzulla, 49 – vjeç, ish – përgjegjës i TEC –it dhe Artem Rusto, 43 – vjeç, ish – magazinier pranë këtij TEC –i.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur ish – shefi i financës, 53 – vjeçari me iniciale P.P dhe 65 – vjeçari me iniciale T.B, administrator në një firme private.

Sipas burimeve zyrtare, këta persona në bashkëpunim me njëri – tjetrin, gjatë periudhës së viteve 2012 – 2013 kur kanë qenë në detyrë i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 209 milion lekësh, si rezultat i ankandeve publike të kryera në atë periudhë, ku kanë favorizuar firmën private të administratorit të shpallur në kërkim, T.B.

Për të ndaluarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për ish – drejtorin Qemal Vrenozi, masën e sigurisë “Arrest shtëpie”./tvklan.al