Buxhuku: Ka dhënë efekt pandemia, këtë vit po shohim rikuperim

Sektori i shërbimeve dhe industria kanë rritur ngarkesën me borxh gjatë pandemisë së Covid-19, ndërsa rezultojnë ndër si degët që kanë peshën më të lartë të kredisë në raport me kapitalin.

Sipas të dhënave që raportohen nga Banka e Shqipërisë, 19.7% e bizneseve të industrisë dhe 25% e sektorit të shërbimeve kanë për të paguar një vlerë më të lartë se kapitali i kompanisë. Në total 21% e bizneseve kanë ngarkesë më të lartë borxhi se vlera e kapitalit.

Për administratorin e Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku, një pjesë e mirë e ndërmarrjeve sidomos të sektorit të industrisë, kanë financuar kostot që shkaktoi kriza e pandemisë me kapitalin e tyre.

“Një pjesë e mirë e sektorit industrial në vend ka financuar kostot me resurset e veta, ndërsa industritë janë ndër më të goditurat në raste krizash apo fatkeqësish natyrore”, tha ai.

Pandemia ka ndryshuar edhe strukturën e huadhënies së sistemit bankar, duke e orientuar më shumë drejt kredisë për kapital pune, që është para e cila nevojitet për emergjencë, dhe shumë më pak është dhënë për investime. Bizneset shohin një përmirësim të lehtë të kërkesës këtë vit, çka mund të nxitë rritjen e investimeve private.

“Situata duket pak më e lehtësuar këtë vit, por çdo gjë është e lidhur dhe me ecurinë në tregjet europiane dhe globale në lidhje me kërkesën që kanë për mallra, në mënyrë që biznesi të stimulohet për të marrë kredi.”

Afërisht gjysma e ndërmarrjeve e kanë financuar veprimtarinë e tyre gjatë pandemisë duke marrë hua, ndërsa pjesa tjetër përmes shitjeve të cilat kanë qenë më të ulëta edhe në fund të vitit 2020, krahasuar me periudhën para pandemisë. 

Tv Klan