Rritet numri i të shtruarve dhe në terapi intensive

Koronavirusi ka shënuar sërish një shifër të lartë viktimash në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë raportoi për 21 qytetarë të tjerë të cilët nuk e fituan dot betejën me koronavirusin dhe duke e çuar në 1,796 numrin total të jetëve të humbura që nga shfaqja e virusit Marsin e vitit të shkuar.

9 prej tyre ishin nga Tirana, 2 nga Kurbini, 2 nga Berati, dhe nga 1 qytetar nga Tepelena, Fieri, Peqini, Erseka, Librazhdi, Elbasani, Dibra dhe Lushnja, të moshave 50-91 vjeç.

Situata mbetet e vështirë në spitale, ku është rritur sërish numri i personave të shtruar dhe atyre në gjendje të vështirë. Aktualisht në spitalet Covid në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 662 pacientë, 49 në terapi intensive, nga të cilët 14 pacientë janë të intubuar.

Infektimet ditore këtë të diel shënuan sërish një rënie të lehtë krahasuar me një ditë më parë. Sipas raportimit të fundit nga 3805 testime kanë rezultuar pozitivë 952 qytetarë. Tirana konfirmohet sërish si vatra me përhapjen më të madhe të virusit me 408 raste, e ndjekur nga Vlora me 53 raste, Durrësi me 39 raste dhe Kruja me 36, ndërsa qytetet e tjera kanë një numër më të vogël infektimesh.

Aktualisht në Shqipëri mbeten më shumë se 35 mijë raste aktive me koronavirus.

Tv Klan