Ministria njofton se nga 3308 testime kanë rezultuar pozitiv 777 persona

Fatkeqësisht numri i viktimave nga Covidi vazhdon që të jetë i lartë. Gjatë 24 orëve, ministria e Shëndetësisë njofton se kanë humbur betejën nga virusi i rrezikshëm 21 qytetarë. 

Tashmë përhapja e virusit është edhe në mosha të reja. Grupmosha e personave që kanë humbur jetën është ulur ndjeshëm, ato variojnë nga 22-87 vjeç. 

Në harkun e 24 orëve janë kryer 3308 testime, prej të cilëve janë zbuluar 777 raste të reja me koronavirus. Fatmirësisht numri i të infektuarëve ka pësuar rënie. Numrin më të lartë të të infektuarëve vazhdon ta ketë kryeqyteti me 320 raste e ndjekur nga Durrësi me 40 qytetarë të infektuar. Në spitalet Covid në Tiranë dhe në tre spitalet rajonale po trajtohen 639 pacientë, 35 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë informon se gjatë të shtunës janë  vaksinuar 1110 qytetarë dhe që nga fillimi i procesit janë kryer gjithsej 19,357 vaksinime.

Po ashtu, janë 742 të shëruar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 74,352 që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes.

Klan News