Shkodra sërish me numrin më të lartë

Harta e rasteve me koronavirus është zgjeruar me Kurbinin. Dy prej 21 rasteve të reja janë në këtë qytet. Por numrin më të lartë vijon ta mbajë Shkodra.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 253 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 21 raste pozitive me COVID-19. Nga rastet e reja 11 i përkasin Shkodrës dhe kemi 4 raste në Tiranë, 4 raste në Krujë dhe hartës i shtohet Kurbini me 2 raste”, tha drejtoresha e ISHP.

539 persona janë infektuar deri më tani nga koronavirusi në 20 rrethe të Shqipërisë. Në dy spitalet COVID në kryeqytet janë të shtruar 43 pacientë.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në reanimacion të intubuar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion”.

Gjashtë pacientë i janë shtuar listës së personave të shëruar në 24 orët e fundit, duke bërë që për disa ditë rresht numri i të shëruarve të tejkalojë atë të infektuarve aktiv. Në total 283 persona e kanë tejkaluar sëmundjen e shkaktuar nga virusi pandemik.

Tv Klan