Pothuajse një vit nga zbulimi i rastiti të parë zyrtar me koronavirus në vend, situata paraqitet dramatike, ndërkohë që humbjet e jetës vijojnë të jenë të larta.

Ministria e Shëndetësisë raporton se në 24 orët e fundit janë shënuar 21 viktima, të moshave 35-84 vjeç. 7 prej tyre janë nga Tirana, 3 nga Durrësi, 3 qytetar nga Lushnja, 2 nga Elbasani, dhe nga 1 qytetar nga Vlora, Fieri, Kurbini, Librazhdi, Saranda dhe Kavaja.

Kjo javë parë e Marsit ka shënuar një bilancë të rëndë me 143 humbje jete. Ndërsa nga fillimi i pandemisë janëshënuar 1939 viktima. Sipas autoriteteve shëndetësore nga 3372 testime, kanë rezultuar pozitivë 819 qytetarë.  

Situata vijon të jetë e kritike edhe në spital. Të shtruar në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 647 pacientë, 31 në terapi intensive, nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit janë shëruar 838 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 75,190 që nga fillimi i pandemisë.

Këtë të diel janë kryer 306 vaksinime anti-covid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 19,663 vaksinime.

Klan News