Disa persona nën rrënoja, mbi 600 të plagosur

Të paktën 24 të vdekur e mbi 600 të plagosur është bilanci i tërmetit të fuqishëm që goditi vendin në orët e para të kësaj të marte.

Lëkundja më e fortë, me magnitudë 6.3 dhe intensitet 9 ballë, ishte ajo e orës 03:54 e mëngjesit, me epiqendër 32 kilometra larg Durrësit.

Ajo rrafshoi 9 pallate, hotele dhe shtëpi në Durrës e Thumanë, dy zonat më të goditura.

Në këtë pallat në lagjen 18 në Durrës, humbën jetën 3 persona. Nga rrënojat e tij u nxorrën të gjallë 2 të tjerë.

Në hotelin Vila Palma, në zonën e plazhi që po ashtu u rrafshua tërësisht, siç shihet nga këto pamje, humbën jetën dy persona.

Trupat e pajetë të dy të tjerëve u nxorrën nga rrënojat e hotelit Miramar, në të njëjtën zonë.

Kjo është vila 3 katëshe e familjes Lala në zonën e Kënetës, ku kanë humbur jetën 4 pjesëtarë të saj. Mendohet se në rrënoja ka të tjerë persona.

Ramë Lala, 17 vjeç është deri tani i vetmi i mbijetuar i kësaj familje. Kushërira e tij 6-vjeçare, Amelia, nuk ia doli të mbijetojë.

Bajram Hajdarmataj, pedagog në Akademinë e Rendit u gjet i pajetë nga shembja e një ndërtese tek Kavaleshenca.

Në hotelin Tropikal u nxorrën pa jetë trupat e dy vëllezërve nga Kosova, Shemsedin dhe Isa abazi.

Në Thumanë u shembën tërësisht 3 pallate. Viktimat janë 5, të gjithë anëtarë të familjes Cara, që banonin në këtë pallat, nga i cili ka mbetur vetëm një pirg inertesh. 

Një tjetër person humbi jetën në Kurbin.

Operacionet e shpëtimit nisën menjëherë në zonat e prekura.

Deri tani, ekipet e emergjencës kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat 44 të mbijetuar.

Ky është një nga të mbijetuarit, Saimir Gregu, i cili pas disa orësh është nxjerrë nga pallati i shembur në Thumanë.

Edhe mes të mbijetuarve ka fëmijë.

Forcat e emergjencës kanë mundur të nxjerrin të gjallë 17-vjeçarin, Ram Lala, nga banesa e tij në Kënetë të Durrësit.

Punonjës të emergjencës, forca të ushtrisë dhe të policisë janë në luftë me kohën.

Kërkimet për të mbijetuarit vazhdojnë pa pushim, teksa toka vazhdon të dridhet.

Në orën 07 e 08 minuta vendi u godit nga një tjetër tërmet i fortë. Lëkundjet ishin 5.4 të shkallës Rihter, sërish me epiqendër Durrësin.

Me qindra lëkundje të tjera kanë qenë më të vogla, pa dëme, por duke shtuar panikun tek qytetarët në mbarë vendin, në mënyrë të veçantë në Durrës, Fushë-Krujë e Tiranë. 

Të gjitha shkollat dhe universitetet në vend janë mbyllur deri në një njoftim të dytë.

Edhe Gjykatat dhe institucionet e tjera shtetërore në Tiranë dhe Durrës janë mbyllur.

Tv Klan