Shfrytëzim i rëndë i prostitucionit. Është kjo akuza për 23 personat e arrestuar nga policia e Milanos.

Bëhet fjalë për 22 shqiptarë dhe një grua rumune, të cilët përfunduan në pranga pas një pune hetimore të agjentëve të policisë së Milanos në bashkëpunim me prokurorinë e Como-s.

Sipas mediave italiane, ata i shfrytëzonin vajzat nëpër territoret e Brianza e Comasco. Arrestimet u kryen nëpër disa zona të Lombardisë.

Të gjithë anëtarët e kësaj bande jetonin në Provincën e Monza Bianza dhe Como dhe disa prej tyre ishin me precedentë kriminalë. Ata dyshohen se kanë shfrytëzuar më shumë se 25 vajza shqiptare, bullgare, moldave, polake, rumune e hungareze.

Tre prej tyre akuzohen gjithashtu për armëmbajtje pa leje, ndërsa gjatë arrestimeve autoritetet policore sekuestruan rreth 25 mijë euro.

Asnjë prej vajzave të shfrytëzuara nuk ka ngritur akuza ndaj të arrestuarve. Secili prej tyre shfrytëzonte 1 ose më shumë vajza, ndërsa dy prej tyre e kontrollonin aktivitetin e prostitucionit nga burgu.

Sipas skemës së rindërtuar nga policia, vajzat kontrolloheshin dhe survejoheshin gjatë aktivitetit të tyre me telefonata dhe sms të vazhdueshme. Të hetuarit shkonin dhe i merrnin tek vendi ku prostituoheshin vajzat për t’i çuar në shtëpi dhe ishin gjithnjë ata që i shoqëronin nëpër shtëpitë e klientëve, me disa prej të cilëve ato prostituoheshin shpesh.

Banda përmbushte kërkesat e vajzave gjatë prostitucionit në rrugë, i instruktonte për sjelljen që duhet të kishin për të kapur një numër sa më të madh klientësh, duke kontrolluar që të mos qëndronin më shumë seç duhej në një vend me këta të fundit, etj.

Vajzat që largoheshin pa leje nga vendi ku prostituoheshin, kërcënoheshin rëndë. Nëse përfitimet ishin më të vogla se pritshmëritë, ato kërcënoheshin dhe qortoheshin për punë të dobët.

Ato ishin të detyruara të prostituoheshin edhe kur nuk ishin mirë me shëndet dhe shpesh ato dhunoheshin edhe fizikisht.

Momentalisht emrat e shqiptarëve të arrestuar nuk janë bërë ende publik.

/tvklan.al