Tiranë | Në vijim të veprimeve hetimore, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të aksidentit rrugor i ndodhur me datë 19.06.2021, në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, tek mbikalimi i Casa-Italias, ku një drejtues automjeti i paidentifikuar aksidentoi duke u larguar nga vendngjarja automjetin me drejtues shtetasin N. R., dhe për pasojë automjeti ka përplasur edhe automjetin tjeter me drejtues shtetasin D. P.

Specialistët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.3 dhe Komisariatin e Policisë Nr.6, bënë të mundur identifikimin dhe ndalimin me iniciativë të drejtuesit të automjetit që u largua nga vendi i aksidentit, shtetasi me iniciale J. L., 22 vjeç.

Policia thotë se “ky shtetas, dyshohet se me datë 19.06.2021, duke drejtuar automjetin e tij në rrugën Interurbane kryesore Vorë-Tiranë, tek mbikalimi i Casa-Italias, ka aksidentuar dy automjete në levizje dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit pa u dhënë ndihmën e parë të dëmtuarve. Gjithashtu ky shtetas dyshohet se ka ndërhyrë për të riparuar automjetin e dëmtuar si pasojë e aksidentit rrugor, me qëllim fshehjen e gjurmëve të aksidentit”.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit” si dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”./tvklan.al