Programi” Historia ime”, në Tv Klan ditën e sotme u ndal tek situata e komunitetit rom. Gazetarja Bela Mero realizoi një reportazh në një nga zonat e famshme të quajtura Bregu i Lumit.

Një nga banoret aty, tregoi për gjendjen e vështirë ekonomike me të cilën përballen çdo ditë, por që tani për shkak të izolimit është vështirësuar akoma dhe më shumë.

22-vjeçarja është nënë e 4 fëmijëve dhe së bashku jetojnë në një çadër e cila nuk i krijon kushtet e domosdoshme për të jetuar. Ajo dhe bashkëshorti janë pa punë dhe bën thirrje për strehim.

22-vjeçarja: Kam 4 fëmijë!

Gazetarja: Sa vjeç je?

22-vjeçarja: 22 vjeç!

Gazetarja: Kur je bërë nënë për herë të parë?

22-vjeçarja: 14 vjeç!

Gazetarja: Punon?

22-vjeçarja:  Jo pa punë jam!

Gazetarja: Për shkak të fëmijëve se të duhet të kujdesesh?

22-vjeçarja: Edhe fëmijët edhe nuk jam e aftë për punë, se jam anemike e theksuar, vetëm një ndihmë ekonomike që marr 54 mijë lekë.

Gazetarja: Po bashkëshorti punon?

22-vjeçarja: Jo nuk punon! Vetëm tek plehrat punonte nuk e lënë as tek plehrat, për shkak të virusit. Tani rrimë në qiell të hapur, asgjë. Vetëm mensa sociale që na sjell çdo drekë ushqimin, atë hamë deri nesër në mëngjes.

Gazetarja: Po shohim që jetoni në një çadër, nëse mund të konsiderohet shtëpia juaj për momentin?

22-vjeçarja: Kjo nuk është edhe çadra ime, ja kanë sjellë dajës time dhuratë, ai ma dha ngaqë isha jashtë, më kapi dimri!

Gazetarja: Sa kohë ke që jeton këtu?

22-vjeçarja: Që në Dhjetor kam këtu, rri këtu pa dritë pa gjë.

Gazetarja: Po më përpara ku ke jetuar?

22-vjeçarja: Kam jetuar tek mami, por mami ka marrë nusen dhe më nxorri jashtë, kam jetuar 7 vjet. Tani bëra bonus qiraje, po pres dokumentet, ma lenë pas dore. Po jetoj në kushtet më të vështira, më ekstreme. Këtë e kam të sëmurë, e kam me gjoks pule, njëri s’më ndihmon për ilaçet, çdo muaj do ilaçe ajo.

Gazetarja: Po ku i gjeni?

22-vjeçarja: Nuk ia marr, nxjerr shkumë nga goja kur fle gjumë kjo. S’kam çfarë të bëj. Të paktën unë dua të më strehojnë në ndonjë shtëpi, se nuk kam ku të shkoj, vetëm të vras veten, s’kam ku të shkoj./tvklan.al