Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në TV Klan solli ditën e sotme historinë e 22 vjeçares Rolanda. Ajo prej disa vitesh jeton në Itali me të fejuarin e saj dhe për shkak se nuk ka dokumenta nuk ka ardhur për të takuar familjen e saj.

Historia e saj e dashurisë është mjaft e bukur dhe ka nisur në festimet për 20-vjetorin e lindjes. Ajo ka një vëlla binjak dhe ishte pikërisht ai që e ftoi në Itali për të festuar sëbashku ditëlindjen. Vëllai Rolandi mendoi që si dhuratë ditëlindje ti bënte një tatuazh dhe shkuan tek studio e shokut të tij më të mirë dhe aty nisi dhe shkëndija e dashurisë mes motrës dhe shokut të tij.

Kur vëllai e mori vesh, nuk ishte dakord për lidhjen e tyre gjithashtu dhe babai i saj nuk donte sepse Rolanda duhet të linte shkollën për të shkuar në Itali. Por pavarësisht kundërshtimeve, Rolanda e la shkollën dhe u nis në drejtim të Italisë tek personi i saj i zemrës.

Rolanda: Unë dhe vëllai do mbushnim njëzet vjeç, thamë që do ta festonim bashkë ditëlindjen, vëllai ishte në Itali, unë isha në shkollë në universitet. Edhe tha vëllai hajde e fetojmë bashkë këtu në Itali. Ok se ishim dhe si me pushime në atë kohë. Vij në Itali për te festuar ditëlindjen, e festuam mirë e bukur me vëllain, me gjithë familjen, me Donin sepse ishte pjesë e shoqërisë së vëllait. Edhe pasi mbaroi ditëlindja, vëllai tha do të bëj dhuratë një tatuazh, nëqoftëse do. Shkuam tek studio e të fejuarit dhe bëra tatuazhin dhe aty filluan shkëndijat e para.

Ardit Gjebrea: Lëre!

Rolanda: Duke bërë tatuazhin filluam të flisnim! Edhe në fakt folëm bashkë ca muaj me Donin, pastaj ai më tha që do flas me vëllain tënd, se nuk ulen dot në një tavolinë po nuk fola, që ti them unë pëlqej motrën tënde, se nuk është e hijshme kjo gjë.

Ardit Gjebrea: Landi kur ta tha çfarë ndjeve, çfarë bëre?

Rolanda: I ra bota mbi kokë!

Rolandi: Ishte komplet errësirë, në atë moment s’mendoja fare.

Rolanda: U prek sa nuk dilte më me Donin siç dilnin, thoshte nuk dal se e di që do më thojë prapë për ty. Nuk dal se e kam shumë të vështirë, nuk e di pse, jemi binjakë apo pse, por nuk mundem ta pranoj këtë gjë. I thashë do të lë kohë. Lër sa të duash më tha, por unë nuk e pranoj. Ok i thashë mos e prano. Fola me mamin dhe me babin, por babi ishte kategorikisht jo sepse isha në shkollë në universitet dhe tha burrat aty janë, por shkolla do të hyjë në punë. Unë i thashë e dua dhe do ta marr. Ai më tha nëse e ke vendosur dhe është çun i mirë e di ti tha, por unë nuk jam i kënaqur të lësh shkollën dhe të shpërngulesh nga këtu ku je sepse je e vogël tha.

Ardit Gjebrea: Dhe ti e le shkollën?

Rolanda: Po e lashë si përfundim edhe ngela këtu pastaj.

Ardit Gjebrea: Sa kohë ke pa u kthyer në Shqipëri?

Rolanda: Kam dy vjet që nuk kthehem në Shqipëri fare dhe nuk e kam parë babin, se as nuk mund të vij as të iki.

Ardit Gjebrea: Po babi e ka parë ndonjëherë Donin?

Rolanda: Po nëpërmjet rrjeteve sociale, por kështu nuk janë takuar asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Çfarë do i thoni sot babit?

Rolanda: Unë për vete, se babi është dhe tip kështu, nuk flet shumë babi por e di që e ka këtë peng që unë lashë shkollën, por dua ti them në një të ardhme që do ta vazhdoj prapë, ndoshta jo atë që kisha po një degë tjetër, por që do ta vazhdoj po sepse dhe unë e kam ëndërr shkollën./tvklan.al