23 urdhërarreste për drogën në Skrapar



23 urdhërarreste për drogën në Skrapar

15:20 08/01/2021

Të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të policisë

Një operacion 7 mujor për kultivimin e kanabisit në zonën e Skraparit ka çuar në pranga 23 persona, mes tyre edhe 4 punonjës policisë dhe 2 zyrtarë lokalë. Hetimet janë udhëhequr nga Prokuroria e Posaçme pas Kallëzimit të referuar Qershorin e kaluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Në pranga kanë përfunduar punonjësit e policisë Neritan Naska, Klement Zeqo, Bardhyl Çela dhe Astrit Duro, si dhe Edmon Zotko me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Tërpan dhe Fatos Lamaj, Kryeplak i fshatit Çorrogjaf. Nga hetimet e kryera, si përgjimet telefonike dhe vëzhgimet rezulton se pothuajse në gjithë territorin e rrethit të Skraparit janë kultivuar bimë narkotike kanabis sativa në parcela dhe vende të ndryshme.

Sipas hetimeve janë dokumentuar dhe sekuestruar lëndë narkotike në 28 raste, në të cilat ishin ngritur impiante vaditje, vendstrehime për punonjësit që kujdeseshin për këto parcela dhe gjithë infrastruktura e nevojshme për këtë aktivitet kriminal.

Gjatë fazës së hetimeve janë sekuestruar gjithsej 5045 bimë narkotike dhe 176 kg kanabis, i paketuar në gjendje të thatë, gati për t’u trafikuar. Po ashtu janë evidentuar disa magazina të përshtatura për tharjen dhe ruajtjen e lëndës narkotike.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme ka vendosur masat e sigurisë arrest me burg për 16 persona, për 4 të tjerë arrest në shtëpi, 3 persona janë lënë në masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Tv Klan






Të ngjashme