Qeveria ashpërson masat, pezullohen shkollat

Thellohet edhe më tej bilanci i humbjes së jetëve nga Covid në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë raportoi të dielën se në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar dot betejën me Covid 23 qytetarë të tjerë duke e çuar në 2795 numrin total të viktimave që prej nisjes së pandemisë në Kosovë.

Gjithashtu autoritetet shëndetësore raportuan se nga testimi i afro 8300 mostrave të marra, janë konfirmuar 424 raste të reja pozitive me Covid.

Nisur nga kjo situatë qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë masash të reja kundër pandemisë. Mësimi në nivelin parauniversitar do të pezullohet deri më 26 shtator. Në universitete mësimi nuk do të zhvillohet me prani fizike, por vetëm online.

Ministri i shëndetësisë Arben Vitia tha se për shkak të pezullimit të mësimit, njëri nga prindërit do të lejohet të mos shkojë në punë. Në çdo aktivitet duhet të paraqitet dëshmia e vaksinimit apo testit PCR, antigen dhe serologjik për COVID-19.

Një dëshmi e tillë do të kërkohet për punonjësit e  sektorit publik dhe studentëve si dhe ata që duan të frekuentojnë bibliotekat të cilat duhet të lejojnë vetëm 30% të kapaciteteve. Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.  Aktualisht në Kosovë mbeten edhe afro 18 mijë raste aktive me koronavirus.

Tv Klan