Përkundër apeleve nga qeveria dhe ndërkombëtarët, shqiptarët nuk kanë reshtur të aplikojnë për azil në vendet kryesore të BE-së edhe gjatë muajve të fundit. Në statistikat e publikuara nga zyra e re për azilkërkuesit në Bruksel, vetëm në muajin Tetor ka pasur 2266 aplikime të reja nga shqiptarët, nga totali prej 61 mijë e 634 aplikime në total.

Në renditjen evropiane, Shqipëria zë vendin e shtatë pas Afganistanit, Sirisë, Irakut, Nigerisë, Pakistanit dhe Eritresë. Pavarësisht kërkesave në rritje, është vetëm 3 përqind shkalla e pranimit të shqyrtimit të kërkesave për azil nga shqiptarët.

Krahas shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së, Shqipërinë e kanë zgjedhur për qëndrim afatgjatë rreth 3 mijë opozitarët muhaxhedinë të regjimit të Iranit dhe opozitarët turq të Rexhep Taip Erdogan. Krahas këtyre grupeve, sipas shefit të UNCHR në Tiranë, Pablo Zapata, janë edhe refugjatët sirianë dhe ata afrikane në Greqi që i kanë sytë nga Shqipëria.

“Këtë vit 230 të huaj kanë kërkuar azil politik në Shqipëri nga 840 persona që kanë hyrë ilegalisht kryesisht nga kufiri me Greqinë. Shumica e kanë shfrytëzuar territorin shqiptar si mundësi për të kaluar në mënyrë të pa rregullt drejt vendeve të BE-së. Me anëtarësimin në këtë organizatë, Shqipëria mund të kthehet në një vend më të preferuar për azilkërkuesit e huaj nga vendet afrikane apo të Lindjes së Mesme”.

Klan Plus