Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga ceremonia hapëse e Kampionatit Europian, 24 kombëtaret pjesëmarrëse kanë nisur të vendosin pikat mbi “I”. Trajnerët kanë publikuar listën e futbollistëve që do kenë në dispozicion, ndërsa favoritët mbeten të njëjtë.

Përveç triumfit, Europiani vlen edhe në aspektin ekonomik. Secila prej kombëtareve të kualifikuara ka arkëtuar 9.25 milionë Euro, premio e rritur ndjeshëm nga edicioni i shkuar në Francë 2016.

Në total, UEFA ka vendosur që të rrisë me 25% shpërblimet për kompeticionin. Gjithsesi, për fazën e grupeve këto nuk do të jenë përfitimet e vetme, duke qenë se UEFA ka vendosur që çdo fitore ta vlerësojë me 1.5 milionë Euro, ndërsa barazimi do të vlejë 750 mijë Euro.

Për sa i përket fazës me eliminim direkt, kualifikimi për në 1/ 8-at do të sjellë 2 milionë Euro të tjera shtesë. Ndërkohë, premiot do të vazhdojnë me shtimin e 3.25 milionëve për arritjen në çerekfinale, 5 milionë Euro kush arrin në gjysmëfinale, ndërsa të qenit finalist garanton 7 milionë Euro.

Për më shumë, skuadra që do të ngrejë trofeun do të marrë edhe 3 milionë Euro të tjera. E thënë ndryshe, çdo kombëtare që arrin të shkojë deri te trofeu do t’i çojë federatës respektive një shifër mes 31 dhe 34 milionë Eurove totale, sepse varet edhe nga rezultatet në grupe.

Klan News