Përkeqësohet gjendja shëndetësore, kërkojnë pagat e prapambetura

14 punonjës të nënstacionit elektrik të Poçemit vazhdojnë grevën e urisë në ditën e 8 të tyre. Gjendja shëndetësore është përkeqësuar, ndërsa shumë prej tyre janë detyruar të marrin ndihmën mjekësore pasi vuajnë edhe nga sëmundje kronike.

Ata refuzojnë të dalin nga greva pa gjetur më parë një zgjidhje ku kërkojnë pagat e prapambetura për 27 muaj.

Nënstacioni i Poçemit furnizon me energji rafinerinë e Ballshit, ujësjellësin dhe një pjesë të qytetit. Por sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ai është në pronësi të kompanisë ‘Allum Enterprises’ e cila ka në pronësi uzinën, ndaj pagat duhet t’i paguajë kjo kompani.

Para 4 ditësh një tjetër grevë ka nisur nga naftëtarët e rafinerisë së Ballshit. Dhjetë prej tyre janë në grevë urie, ndërsa protesta të shumta ka në ambientet jashtë nga më shumë se 800 punonjës të uzinës. Naftëtarët kanë refuzuar ujin dhe ndihmën mjekësore.

Naftëtarët kanë tre paga pa marrë për 3 muajt e fundit të vitit kur uzina nuk ka punuar por ka qenë në proces mirëmbajtje, dhe disa të prapambetura vite më parë. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë përgjegjëse për shlyerjen e detyrimeve të tyre janë dy kompanitë ‘Tosk’ dhe ‘Bylis Energji’.

Tv Klan