Një 24-vjeçar shqiptar, me precedent të mëparshëm penal, është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap i armatosur me pistoleta dhe thika. Në pranga ka rënë Wasim Hajjazi me shtetësi shqiptare. Aiu ndalua në rrugën “Fuat Toptani” duke udhëtuar me makinën “Benz”.

Por sapo pa policinë, 24-vjeçari tentoi të largohej me vrap, duke hedhur sendet e kundraligjshme që posedonte, por është kapur dhe prangosur.

Gjatë kontrollit të tij dhe makinës u gjetën 2 pistoleta njëra nga të cilat me silenciator, municion luftarak, 2 thika, një përforcues grushti dhe një kapele me mbishkrimin “policia”.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” i 24-vjeçarit, i dënuar më parë për veprat “Trafikimi i qenieve njerëzore” dhe “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për zbardhjen e qëllimit që kishte ky shtetas që qarkullonte me armë zjarri me vete.  /tvklan.al