Ambasadorja mesazhe para Metës, Ruçit e Bashës: E ardhmja e Shqipërisë e ndritshme

245 vjetori i pavarësisë së SHBA ka mbledhur bashkë të majtë dhe të djathtë në ceremoninë festive, të organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë.

E përshtatur shumë shpejt me zakonet shqiptare, ambasadorja Yuri Kim ngriti jo një, por 3 dolli.

E teksa bëri një historik të shkurtër të themelimit të SHBA-ve, kryediplomatja amerikane dha mesazhe të qarta para të ftuarve politikanë shqiptarë e figura të drejtësisë.

Ndërsa vijmë bashkë këtë mbrëmje për të festuar demokracinë – qofshin 245 vjet apo 30 vjet – është e qartë në përvojat tona përkatëse se demokracia nuk është e lehtë. Ajo duhet të çmohet, të vlerësohet, të mbrohet, të përtërihet. Ne duhet të festojmë sukseset tona dhe t’i përdorim ato si frymëzim për suksese edhe më të mëdha. Duhet të përballemi me të metat tona në të njëjtën frymë – pa u turpëruar apo pa patur frikë, por me vendosmëri për të gjetur gjuhën e përbashkët, mënyra më të mira për të punuar me bashkëqytetarët tanë dhe për të hartuar një rrugë përpara, të kujdesshëm për mësimet e së kaluarës, por gjithmonë me sytë mbi të ardhmen”.

Yuri Kim pati edhe një thirrje për të ardhmen/

Kështu që ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara dhe 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, le të vendosim të çmojmë, të vlerësojmë, të mbrojmë dhe të përtërijmë demokracinë; për të kujtuar aspiratat e atyre që shpallën pavarësinë – qoftë në vitin 1776 në Filadelfia apo 1991 në Sheshin Skënderbej; dhe për të luajtur rolin tonë në bërjen e atyre aspiratave më të vërteta për brezin e ardhshëm”.

Pjesë e ceremonisë ishin Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Presidenti Ilir Meta, kryedemokrati Lulzim Basha, ministra e deputetë, ndërsa mungoi Kryeministri Edi Rama.

Klan News