Arrest shtëpie për tre protestuesit e parë



Arrest shtëpie për tre protestuesit e parë

11:05 12/12/2020

Në pranga 25 persona, hetim në gjendje të lirë për 130 të tjerë

Arrest shtëpie ka vendosur Gjykata e Tiranës për tre protestuesit që u prangosën më 9 Dhjetor pas tubimit për vrasjen e Klodian Rashës.

Protestuesit e arrestuar tre ditë më parë, Altin Koçi, Robert Poshnjari dhe Vilson Kulemani, janë akuzuar për dhunë dhe kundërshtim të forcave të policisë pas protestës së parë të mbajtur në kryeqytet përballë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Sakaq 8 persona të tjerë, përfshi edhe këngëtarin e njohur Arkimed Lushaj vazhdojnë ende të jenë në kërkim. Sipas prokurorisë, ata shfaqen në pamjet filmike teksa qëllojnë policinë me gurë dhe sende të forta dhe më pas duke i vënë flakën pemës së Krishtlindjes te Kryeministria.

Ndërkohë pas protestës të së premtes, Policia e Tiranës ka vënë pranga 25 persona, ndërsa 130 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Për vrasjen e të riut Klodian Rasha janë organizuar disa protesta dhe janë vënë në pranga dhjetëra persona, 8 janë shpallur në kërkim dhe 248 janë proceduar në gjendje të lirë.

Mbi ta rëndon akuza për kryerjen e disa veprave penale që nga “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Tv Klan







Të ngjashme