25-vjeçari akuzohet për vrasjen e 39 emigrantëve

Posta

25-vjeçari akuzohet për vrasjen e 39 emigrantëve

21:37 26/10/2019

Shoferi 25-vjeçar është akuzuar zyrtarisht për vrasjen e 39 emigrantëve, të cilët u gjetën të vdekur brenda kamionit frigoriferik të mërkurën në Essex të Britanisë së Madhe.

Maurice Robinson akuzohet edhe për trafikim të qenieve njerëzore, kontrabandim të emigrantëve dhe pastrim parash. 25-vjeçari nga Irlanda e Veriut do të dalë përpara gjykatës britanike ditën e hënë.

Lidhur me hetimet për këtë ngjarje, autoritetet kanë arrestuar edhe tre persona të tjerë, dy burra dhe një grua. Ata janë arrestuar lidhur me dyshimet për vrasje dhe trafik të qenieve njerëzore.   

39 trupa të pajetë të 31 burrave dhe 8 grave, u gjetën brenda një kamioni frigoriferik të parkuar në zonën industriale të Essex në Britani të Madhe. Dyshohet se mjeti ishte nisur nga Bullgaria me destinacion Anglinë.

Hetuesit britanikë kanë thënë se viktimat janë shtetas kinezë dhe vietnamezë. Gjetja e 39 emigrantëve të vdekur brenda një kamioni konsiderohet si ngjarja më e rëndë e viteve të fundit në Britani. /tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT