Mbi 250 fëmijë paraqiten në 24 orë vetëm në shërbimin pranë Urgjencës së Pediatrisë në spitalin “Nënë Tereza”. Temperatura e lartë, rrufa apo shqetesime në rrugët e sipërme respiratore janë probleme të favorizuara nga i ftohti i ditëve të fundit. Edhe pse për mjekët kjo është një situatë normale në këtë periudhë, ata këshillojnë shmangien e mjediseve të mbipopulluara dhe një dietë sa më të pasur ushqimore.

“Nëse është një fëmijë i sëmurë është më mirë të mbahet në kushtet e shtëpisë që edhe nëse ka virozë ta kalojë atë pa komplikacione. Shkollat, çerdhet janë burimet e para nga të cilat fillon një epidemi, kërkohet shmangia e kontaktit me njerëzit e sëmurë, perdorimi i veshjeve të përshtatshme, përdorimi i ushqimeve të shëndetshme”.

Të riskuar nga temperaturat e ulta janë personat me hipertension, për të cilët mjekët këshillojnë që t’i shmangin sa më shumë mjediset e ftohta.

“Vetë stresi fizik i ndryshimit të temperaturave është ngacmues për organizmin. Jo vetëm në subjektet e moshuara apo ata me sëmundje kronike, ka pacientë që na vijnë me vlera të larta të presionit, kjo për shkak të uljes së temperaturave. Këshillohet të mos ekspozohen në mëngjes dhe në mbrëmje kur temperaturat janë më të ulta”.

E rëndësishme, sipas mjekëve, janë konsultat më mjekun e familjes që të përcaktojnë edhe mjekimin e duhur për çdo rast.

Tv Klan