Lame: Në Durrës procesi do të përqendrohet në zonën e Porto Romanos

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame i shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ishin në Spitallë për të dorëzuar vendimet e legalizimeve në këtë zonë, e cila sipas drejtoreshës së Kadastrës ka ecur me ritme të shpejta në disa blloqe kadastrale. Drejtori i Përgjithshëm Artan Lame është ndalur tek denoncimet e fundit që janë bërë nga Kadastra për ndërhyrjet në regjistrat kasdastral.

“Para disa javësh denoncuam publikisht trashëgiminë e tmerrshme të pronave të trashëguara nga zyra e ish-Hipotekës në Durrës. Sot jemi këtu për të demonstruar se Kadastra e sotme vijon punën normalisht”, tha Lame.

Me përfundimin e kësaj zone që është pjesë e ish-Kënetës, sfidë për qeverisjen vendore dhe për ASHK Durrës mbetet zona e Porto Romanos. Drejtori Lame i bëri një përmbledhje situatës në këtë zonë, duke shtuar se kjo është një nga zonat që ka marrë edhe hovin e zhvillimit edhe pse është ndërtuar në një ish-kënetë.

Edhe kryetarja e bashkisë theksoi të njëjtën gjë, pasi kjo zonë falë investimeve, ka treguar se prona ka marrë një tjetër vlerë.

Artan Lame, duke u njohur edhe me shqetësimet e qytetarëve në lidhje me aplikimet që duhet të bëjnë tek noterët ka kërkuar që të mos bien pre të mashtrimit.

“Ka noterë të papërgjegjshëm që ju thonë qytetarëve ‘nuk punon zyra e Kadastrës’. Jo, nuk është e vërtetë që nuk punon. Zyra e Kadastrës Durrës është në punë çdo ditë. Ndaj kërkoj mirëkuptim tuaj që t’i zgjidhni noterët ku shkoni, sepse nuk ka nevojë për ndërmjetësa që prishin punë dhe imazhin e Kadastrës dhe ju sorollasin ju”, tha Lame.

Po ashtu, drejtori ka ngritur një shqetësim për ata qytetarë që nuk ndodhen në Shqipëri. Ai tha se specialistët e Kadastrës nuk mund të bëjnë dot matje në terren, pasi shtëpitë janë të mbyllura. Sipas Lames, ky është një proces që e zvarrit mbylljen e procesit të legalizimit.

Duke qenë se është një zonë urbano-informale, problematikat që janë ndeshur në ketë zonë janë nga më të ndryshmet. Bëhet fjalë për objektet që janë të vetëdeklaruar por pronarët e shtëpive janë në emigracion. Së dyti subjektet vetdeklarues nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar nga ana e institucionit siç janë: Deklaratat e funksionit për objektet që janë të pa përfunduar në strukture (karabina); Deklarata Noteriale për përfshirjen e personave të tjerë në proces legalizimi ose çedim të drejtash në procesin e legalimit. Pengesë është bërë edhe refuzimi i pagesave të tarifes së shërbimit për objektet social –ekonomike.

Klan News