Policia amerikane ka venë në dispozicion një shumë prej 2500 Dollarësh për cilindo që jep informacione për vrasjen e të riut shqiptar Grei Frashëri.

23-vjeçari u qëllua me armë zjarri mbrëmbjen e të premtes së kaluar në rrugën 93 në Bay Ridge, më pak se gjysmë milje larg shtëpisë së tij.

Në momentin që policia arriti në vendgjarje, i riu shqiptar ishte në gjendje të rëndë, dhe pavarësisht dërgimit të menjëhershëm në spital, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra në qafë.

Autori apo autorët e ngjarjes janë ende të lirë, teksa familjarët kërkojnë të sqarohen rrethanat në të cilat humbi jetën 23-vjeçari. Për ta Grei ishte një djalë i qeshur dhe i mirë.

“Po përpiqemi të qëndrojmë të fortë për prindërit, por është shumë e vështirë t’i mbash ata”, thotë Kristi Leka, kushëriri i viktimës.

Një nga pistat ku po hetohet është edhe mundësia që i riu shqiptar të jetë gjendur në vendin e gabuar në momentin e gabuar. Kjo për shkak se nga hetimet nuk janë gjetur lidhje të 23-vjeçarit me aktivitete të paligjshme.

Tv Klan