Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Kryeministria britanike, Theresa May rikonfirmuan të premten angazhimin e tyre për aleancën më të fortë ushtarake të botës, NATO-n.

May konfirmoi se Trump ishte “100 për qind në favor të NATO-s” pavarësisht komenteve të tij të fundit ku e quante aleancës si “të vjetruar”.

Të dy liderët thanë se do të punonin për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.

May ishte liderja e parë e huaj që Trump priti në Shtëpinë e Bardhë qëkur mori detyrën më 20 Janar.

Dy liderët u fotografuan para Bustit të Winston Churchill-it në Shtëpinë e Bardhë, të cilin Trump e riktheu në zyrë ditën e parë që mori detyrën. Barak Obama në atë vend kishte Bustin e Martin Luther Kingut.

Pikat kryesore të bisedës mes dy krerëve të shteteve ishin mundësitë e reja tregtare pas Brexit, siguria, bashkëpunimi i shërbimeve inteligjente dhe e ardhmja e NATO-s, kjo e fundit e vënë jo pak herë në pikëpyetje me ndryshimin e kursit politik në SHBA.

Përpara se të takonte Trampin, kryeministrja britanike nderoi përkujtimoren e ushtarit të panjohur në varrezën e Arlington.

Në fjalën e mbajtur përpara zyrtarëve republikanë në Filadelfia të enjten, May theksoi se synimi i saj është të ripërtërijë marrëdhëniet e veçanta anglo-amerikane, duke sqaruar nga ana tjetër se koha kur dy vendet kryenin ndërhyrje ushtarake për të kthyer botën në një shëmbëlltyrë të tyre, ka përfunduar.

Një vëmendje të veçantë zuri në mediat e huaja gafa e përsëritur dy herë me emrin e Theresa May-t në komunikatat për shtyp të Shtëpisë së Bardhë. Emri i kryeministres britanike është shkruar pa gërmën H, që në fakt përkon me emrin e një aktoreje e filmave për të rritur.

Nuk ka vonuar ironia e tabloidit britanike Daily Mail, që shkruan se kjo është arsyeja përse Trump ishte i emocionuar për takimin.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, May tha se Trump kishte pranuar ftesën e Mbretëreshës për një vizitë më vonë gjatë vitit./tvklan.al