Kërkesat, dy herë më të larta se planifikimi i qeverisë

Fatura për pagesën e bonusit të qirasë të familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit është 2-fishuar.

Në buxhetin e këtij viti qeveria parashikonte 1.2 miliard Lekë për të mbështetur këto kategori, por gjatë një raportimi në Komisionin e Ekonomisë, Drejtorja e Përgjithshme e Buxhetit Mimoza Dhëmbi, tha se në bazë të kërkesave që kanë ardhur deri tani, për mbulimin e bonusit të qirasë për të gjithë vitin kërkohen 2.6 miliardë Lekë, ose 26 milionë Dollarë.

Deri tani qeveria ka bërë pagesat për përballimin e dëmeve pas tërmetit me fondet e veta, pa prekur donacionet. Në llogarinë e qeverisë të hapur për këtë qëllim deri më sot numërohen 15 milionë Euro, pa llogaritur të njëjtën shumë që ka njoftuar se do të japë Bashkimi Europian.

Pagesat për personat që kanë qëndruar gjatë një muaji në hotele, i kushtuan buxhetit të shtetit 2.7 milionë Dollarë, ndërsa 700 mijë Dollarë u janë alokuar bashkive për vlerësimin e dëmeve me ekspertë privatë.

Tv Klan