Një grua e cila u përdhunua dy herë tani njihet si “Mbretëresha e Armëve” dhe u kërkon grave të mbajnë armë me vete.

Orin Julie, 26 vjeç nga Izraeli, rregullisht pozon me koleksionin e saj të madh të armëve dhe dëshiron që ligji të ndryshojë për të lejuar më shumë gra në vendin e saj të mbajnë legalisht një armë për të mbrojtur veten.

Ajo drejton një dyqan online të aksesorëve të armëve dhe shpreson që mesazhi i saj të dëgjohet nga qeveria lokale.

“Unë kam qenë një viktimë e përdhunimit dy herë në jetën time, hera e parë ishte në moshën tetë vjeç. Unë u abuzova seksualisht nga një burrë i moshuar. Më preku aq shumë sa që humba gjithë besimin dhe u tremba nga gjithçka. Unë u ktheva në një fëmijë vërtet të mbyllur me pak miq dhe isha gjithmonë dyshuese ndaj të rriturve, nuk kisha besim tek ata”, u shpreh Orin.

Orin tragjikisht u bë viktimë e përdhunimit vetëm disa vite më vonë, kur ajo ishte 15 vjeç nga i dashuri i saj.

“Unë hyra në depresion dhe qëndrova në shtëpi, nuk shkova as në shkollë, kjo ndikoi në çdo pjesë të jetës sime”, u shpreh ajo.

Orin nuk e denoncoi krimin në polici dhe iu deshën shumë vite për të filluar të fliste me familjen dhe miqtë për vështirësitë që është përballur.

Ajo u bashkua me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kur ishte 18 vjeç, ku shërbeu për tre vite si një ushtare luftarake në njësinë e Kërkim-Shpëtimit. Orin mësoi se si të gjuante me armë dhe si të mbrohej duke iu nënshtruar trajnimit Krav Maga.

“Si fëmijë, isha shumë e dobët, jo e sigurt dhe e ndrojtur nga realiteti, nuk dija të bëja asgjë vetë. Unë kisha nevojë për dikë të fortë që të më ndihmonte për të mbrojtur veten dhe u bashkova me IDF. Rashë në dashuri me trajnimin taktik, armët dhe vetëmbrojtjen dhe u ndjeva e fuqizuar për herë të parë. Unë u bëra mbrojtësja e vetes, u ngrita për veten time, gjeta zërin tim dhe tani jam më e hapur”, ka thënë Orin.

Pasi u largua nga IDF, Orin vazhdoi të merrte mësime për vetëmbrojtje dhe përdori platformat e saj të mediave sociale për të rritur ndërgjegjësimin se si gratë mund të mësojnë të mbrojnë veten. Sidoqoftë, qeveria izraelite ka rregulla shumë të rrepta në lidhje me pronësinë e armëve.

Aktualisht, veteranët e njësive të këmbësorisë së IDF-së kanë të drejtë për leje armësh, së bashku me oficerët e policisë që kanë marrë trajnimin ekuivalent.

Por Orin pretendon se procesi i marrjes së një arme është shumë më i lehtë për burrat që kanë shërbyer si ushtarë luftarakë dhe kanë bërë trajnime themelore sesa për gratë.

“Është shumë më e lehtë për burrat që shërbejnë si ushtarë luftarakë të marrin një armë. Për veten time, unë isha në gjendje të merrja një sepse shërbeva tre vite si një ushtare luftarake dhe pastaj u bëra një instruktore qitjeje, por ishte një proces i gjatë dhe i vështirë”.

Pas shumë vitesh, ajo ka gjetur dashurinë, ku partneri është një burrë mbështetës dhe e trajton atë të barabartë me veten. /tvklan.al