Vjero: Do të përfitojnë pagesën e papunësisë

Aktualisht numri i të papunëve në ekonominë vendase është 27 mijë, nga 60 mijë që u krijuan gjatë dy muajve të mbylljes së ekonomisë për shkak të pandemisë së Covid-19.

Në një intervistë për televizionin Klan, zv/ministrja e Financave Vasilika Vjero thotë se për këtë kategori qeveria është duke përgatitur një paketë për trajtimin financiar dhe kontaktimin e tyre për t’i gjetur një vend pune.

Për të parë dhe akomodimin e tyre, qoftë nëpërmjet skemave që lidhen me papunësinë, por njëkohësisht dhe me ripunësimin e tyre”.

Tatimet kanë përfunduar hedhjen e të gjithë kësteve të pagës së luftës për përfituesit e paketës së parë, përfshi edhe ata që kishin deklaruar gabim numrat e llogarisë, ndërsa deri në fund të këtij muaji do të hidhet edhe ndihma financiare prej 40 mijë Lekësh për individët që e përfitonin por punëdhënësi i tyre nuk aplikoi.

“Kishte një numër tatimapaguesish, të cilët edhe pse duhet të aplikonin nuk e bënë këtë. Janë diku tek 2100 tatimpagues, me një numër 3 mijë punonjësish, të cilët janë në skemën për t’u paguar deri në fund të muajit”.

Instrumenti i garancisë sovrane për dhënien e kredisë pa interes për paga është përdorur për të mbuluar deri më sot 44 mijë punonjës, ndërsa qeveria ka vendosur që të rishpërndajë fondin e garancisë së parë për të gjithë bankat që e kanë ezauruar atë.

“Ka banka të cilat garancinë që iu është dhënë, e kanë ezauruar të tërin, ndërkohë që ka banka që ende nuk kanë ezauruar. Pas datës 20, sigurisht që kjo shumë do të rishpërndahet tek ato banka, të cilat ishin të parat që e ezauruan këtë fond dhe që kanë ende nevojë”.

Deri tani janë 89 biznese që kanë aplikuar për të përfituar nga garancia sovrane 2, për të marrë kredi për kapital pune, ndërsa bankat kanë miratuar 40 kërkesat e para.

Tv Klan