304 totali i të infektuarve, 89 të shëruar

Numri i të prekurve nga koronavirus arriti 304, me 27 raste të reja. Shumica e të infektuarve në 24 orët e fundit janë në Shkodër. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se shkak është mosrespektimi i distancimit social.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 112 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.  Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër. Nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren”.

Pacientët që kanë nevojë për hospitalizim, tashmë po trajtohen në dy spitalet Covid, në QSUT dhe “Shefqet Ndroqi”.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv. Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar)”.

Por krahas të prekurve, po rritet edhe numri i të shëruarve.

Raporti zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë flet për 13 pacientë që e kaluan sëmundjen në 24 orët e fundit, duke çuar në 89 totalin e të shëruarve.

Tirana mban numrin më të lartë të të prekurve me 146 të tillë, e ndjekur nga Durrësi me 32 raste, Shkodra me 22 dhe Korça me 16.

Tv Klan