Një futbollist amator humbi tragjikisht jetën në moshën 27-vjeçare, pasi pësoi arrest kardiak. Shkak u bë një gotë me ujë të ftohtë që i riu piu pas ndeshjes e që i shkaktoi një arrest kardiak të pazakontë.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja Mirror, Ludwin Florez Nole nga Piura e Perusë, sapo kishte mbaruar një ndeshje futbolli kur nisi të ndihej keq dhe shkoi në shtëpi.

Bashkëshortja e tij tha se 27-vjeçari kishte pirë një gotë me ujë të akullt dhe vetëm pak kohë më pas kishte nisur të kishte dhimbje në kraharor, ndaj dhe e nisën për tek një klinikë që ndodhej pranë, por ai ndërroi jetë gjatë rrugës.

Gruaja tregoi gjithashtu se mjekët i kishin thënë se ai kishte pësuar atak në zemër sepse kishte pirë shumë ujë të ftohtë ndërkohë që trupi i tij ishte ende i ngrohtë.

Mjekët besojnë se uji i ftohtë ndryshoi rrahjet e zemrës duke shkaktuar një refleks kardiovaskular, ndonëse është diçka e rrallë që lëngjet e ftohta të shkaktojnë një gjendje të tillë.

/tvklan.al