Arrestohen kryepleq, inspektorë e elektricistë

Rastet e zbulimit të parcelave me kanabis gjatë kësaj vere kane evidentuar se në një pjesë të tyre kanë qenë të përfshirë edhe punonjës të shtetit.

Prej muajit maj deri më tani, sipas të dhënave të policisë së shtetit janë nën hetim 27 zyrtarë. Konkretisht 18 janë kryepleq, 13 prej të cilëve janë proceduar dhe 5 të arrestuar. Të proceduarit janë në gjendje të lirë, pasi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa të arrestuarit dyshohen si të implikuar direkt në kultivimin e lëndëve narkotike.

Rasti i fundit që policia arrestoi kryeplak fshati ishte një javë më parë. Efektivë të komisariatit numër 4 vunë në pranga Abaz Gjedikun, kryeplak i fshatit Shëngjin i Vogël të njësisë Administrative Zall-Bastar, pasi u gjetën bimë kanabisi me lartësi deri në 1.5 metër.

6 inspektorë mjedisi janë gjithashtu duke u verifikuar nga autoritetet, pasi akuzohen se nuk kanë përmbushur detyrat funksionale për të parandaluar këtë fenomen. Edhe 3 punonjës të OSHEE-së janë vënë në pranga pasi kanë favorizuar kultivuesit duke lidhur energjinë elektrike, por dhe nuk kanë kryer kontrolle për të konstatuar lidhje të paligjshme.

Numri më i lartë i zyrtarëve të implikuar është në qarkun e Kukësit, për të vijuar me Tiranën dhe më pas qytetet e tjera, si Shkodra, fushe-Kruja, Berati dhe Vlora. Gjatë këtyre operacioneve, blutë arrestuan dhe 46 kultivues si dhe shpallen në kërkim 30 të tjerë.

Tv Klan