“Moshatarët më imitonin si ecja”

Rubrika “Ka një mesazh për ty” në TV Klan solli ditën e sotme historinë e trishtë të një 28-vjeçareje. Enkeleda ka lindur me një problem në të dy këmbët, që i ka shkaktuar asaj vështirësi në ecje. Për familjen ka qenë e vështirë dhe gjithmonë janë munduar të gjejnë zgjidhje për problemin e vajzës së tyre, por pa rezultat.

Enkeleda në studio ka rrëfyer se kur ka shkuar në gjimnaz, ajo e kishte edhe më të vështirë, pasi bashkëmoshatarët e saj e paragjykonin dhe imitonin ecjen e saj. Kjo gjë e ka bërë të ndihet shumë keq, aq sa ka përjetuar depresion dhe filloi t’i bënte keq vetes së saj.

Enkeleda: Historia ime ka lindur bashkë me mua sepse në momentin që kam lindur jam diagnostikuar me lukstacion të këllkut, që është problem që shkakton çalimin në ecje. Në fillim nuk u kuptua, kam qenë vetëm 9-muajshe kur mami kuptoi se diçka me mua nuk shkonte, se mua më kërcisnin kockat. Duke qenë se isha e vogël, babi gjithmonë refuzonte të më bënte një radiografi, se nuk donte të më ndiqte me rreze.

Ardit Gjebrea: Ti e ke patur histori familjare këtë?

Enkeleda: Po familjare sepse prindërit e mi kanë të dy të njëjtin problem, por nga njëra anë, pra kanë vetëm njërën këmbë me probleme, kurse unë i kam të dyja.

Ardit Gjebrea: Nuk kishte ndonjë mundësi operacioni, ndërhyrje?

Enkeleda: Jo babi vendosi të takonte një kirurg në Tiranë, por ai i tha se një ndërhyrje kirurgjikale për mua do ishte fatale, pasi kocka ishte duke u rritur dhe unë rrezikoja që në moshën 18-vjeçare të paralizohesha dhe mos ecja fare. Kështu që ata u dorëzuan më në fund sepse panë që nuk kishte asnjë zgjidhje për problemin tim. Ndërkohë që unë rritesha, prindërit e mi mundoheshin të më përgatisnin për problemin që unë kisha.

Ardit Gjebrea: Kur filluan problemet e tua?

Enkeleda: Problemet kanë filluar në momentin kur kam shkuar në gjimnaz.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Enkeleda: Atje filluan të më paragjykonin, të më shanin, të më imitonin se si ecja, se si kërceja dhe aty jam ndjerë keq, (Qan). Nuk e përballoj dot, që shikoja moshatarët e mi, që më imitonin mua kur ecja.

Ardit Gjebrea: Sa e keqe është kjo gjë?

Enkeleda: Shumë, shumë e keqe! Isha vetëm 14 vjeç dhe çdo ditë përballesha me të njëjtin problem, me të njëjtat gjëra, fillova të ndihesha aq keq në atë kohë, sa kalova në depresion atë kohë dhe mendova t’i jepja fund jetës. Nuk e doja më jetën, por falë Zotit e mblodha veten edhe pse shumë vonë. Se unë mbyllesha në dhomën time, ngaqë rashë në depresion, filloja i gjuaja këmbët e mia me grushte dhe thosha: Pse më pengoni të realizoj ëndrrat e mia? Pse nuk më lejoni të jem si të tjerët? Edhe Zotit i thosha pse më dënove me këtë problem? Por ky ishte fati im, vetëm pse në atë kohë e kisha të vështirë ta pranoja./tvklan.al