Të angazhuar 150 mjekë e infermierë përgjatë gjithë sezonit turistik

Nga veriu në jug, përgjatë bregdetit dhe në zonat më të frekuentuara turistike deri më 15 Shtator do të jenë në dispozicion të pushuesve 29 qendra shëndetësore verore.

“Është viti i shtatë që ne hapim qendrat verore pranë zonave turistike malore dhe bregdetare në kuadër të planit të masave për një sezon turistik të sigurtë dhe të shëndetshëm me hapjen e 29 qendrave shëndetësore pranë zonave turistike të vendit”.

Për t’iu shërbyer sa më mirë dhe gjatë 24 orëve, janë angazhuar që prej mesit të Qershorit 150 mjekë dhe infermierë.

“Sigurisht këto qendra shëndetësore punojnë 24 orë sidomos në zona që kanë fluks të turistëve dhe pushuesve me qëllim që aty të mos mungojnë në asnjë moment kujdesi dhe shërbimi shëndetësor. Janë rreth 150 staf mjekë dhe infermierë të angazhuar pranë strukturave tona të qendrave shëndetësore”.

Drejtoresha e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami tregon disa nga shërbimet që do ofrohen në qendrat shëndetësore verore.

“Ofrohen shërbime si vizita pranë mjekut, infermierit, mjekime apo mikrokirurgji në rast nevoje, injeksione, është viti i dytë që ofrojmë kryerjen e testit të shpejtë”.

Krahas qendrave shëndetësore verore, do të jenë edhe 14 pika me autoambulanca përgjatë gjithë vijës bregdetare, në rast se do të nevojitet transport i menjëhershëm. Në zonat më të populluara me pushues, edhe spitalet rajonale do të jenë në gatishmëri të plotë.

Klan News