29-vjeçari Olgen Duka ka mbetur i plagosur pas mesnate në Tiranë. Sipas asaj që njofton policia, i riu është goditur me thikë nga një person i paidentifikuar tek Sheshi “Skënderbej”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:10, ndërsa policia njofton se i riu i plagosur ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Siç raportoi gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, i dëmtuari nuk ka treguar të dhëna të vlefshme për hetuesit.

“Është tentuar që të merret në pyetje pas ngjarjes, por ka dhënë deklarata kontradiktore dhe të pavlefshme për hetimin”, u shpreh ai.

Duke qenë se autori është ende i paidentifikuar dyshimet e policisë janë se 29-vjeçari mund të ketë rënë pre e ndonjë tentative grabitje.

Policia ka sekuestruar dhe po këqyr kamerat e sigurisë përrreth sheshit për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar autorin e ngjarjes.

Ndërkohë Duka nuk rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë./tvklan.al